ҽ

Papa gjatë lutjes së Engjëllit të Zotit Papa gjatë lutjes së Engjëllit të Zotit

Papa: nëse shqetësimet e heqin shijen e jetës, Zoti të jep shpresë

Gjatë lutjes së Engjëllit të Zotit, Papa Françesku komentoi episodin ungjillor të Dasmës së Kanës e kujtoi se edhe në jetën tonë mund të mungojë "vera". Por Zoti "nuk është dorështrënguar" dhe i përgjigjet bujarisht mangësive tona me "begatinë" e tij

R.SH. / Vatikan

Ashtu si në Kanë të Galilesë, edhe në “banketin” e jetës sonë, ndonjëherë vërejmë se nga frika dhe shqetësimet “vera” mbaron dhe humbasim shijen e jetës; por përballë kësaj mungese, Zoti përgjigjet me bujari, me "begatinë" e tij të pashoqe.

Me këto fjalë iu drejtua Papa Françesku besimtarëve dhe shtegtarëve të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit për lutjen e Engjëllit të Zotit, kremtuar sot në mesditë në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, në prani të shumë besimtarëve të ardhur nga vende të ndryshme.

Jezusi, dhëndri që sjell "verën e re"

Papa Françesku komentoi Ungjillin e liturgjisë së sotme, të dielës së dytë gjatë vitit kishtar, mrekullinë e parë  kryer nga Jezusi me shndërrimin e ujit në verë gjatë një dasme në Kanë të Galilesë. Një histori që - vëren Papa - “parashikon dhe përmbledh të gjithë misionin e Jezusit”, që sjell “verën e re”. Ati i Shenjtë thekson dy elemente, që dalin nga Ungjilli: mungesën dhe  begatinë.

Zoti u përgjigjet mangësive tona me begati

Kur Maria tregon se në dasmë "nuk kanë verë", Jezusi ndërhyn duke mbushur gjashtë anfora të mëdha dhe, në fund, pija është aq e bollshme dhe e shijshme, sa i zoti i gostisë e pyet dhëndrin pse e ruajti për në fund. Pra, shenja jonë është gjithmonë mungesa, por shenja e Zotit është gjithmonë mbibegatia, dhe mbibegatia e Kanës është shenja. (…) Zoti nuk është dorështrënguar; kur Zoti jep, jep shumë. Nuk të jep një pjesë të vogël, të jep të madhen. Zoti u përgjigjet mangësive tona me begatinë e tij.

Frika dhe shqetësimet e heqin kënaqësinë nga jeta

Ashtu si në gostinë e dasmës së Galilesë - theksoi Papa - edhe në "banketin e jetës sonë" mund të kuptojmë se "vera mbaron", se "na mungon forca". Ndodh “kur shqetësimet që na mundojnë, frika që na sulmon ose forcat përçarëse të së keqes na heqin shijen e jetës, drithërimin e gëzimit dhe shijen e shpresës”. Pikërisht atëherë, përballë kësaj mungese, "Zoti jep me begati "sepse "dëshiron të kremtojë me ne një festë që nuk do të përfundojë kurrë".

Në përfundim, Papa kërkoi ndërmjetësimin e Virgjërës, “gruas të verës së re”, që në këtë Vit jubilar të na ndihmojë të rizbulojmë gëzimin e takimit me Jezusin.

19 janar 2025, 14:36

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >