Papa: ta festojmë datën e Pagëzimit tonë si ditëlindje të re
R.SH. / Vatikan
Papa Françesku pati në qendër të lutjes së Engjëllit të Zotit, kremtuar në mesditë, në Sheshin e shën Pjetrit në Vatikan, festën e Pagëzimit të Jezusit në lumin Jordan, që kremtohet sot nga Kisha, me të cilën festë mbyllet periudha e jashtëzakonshme e Krishtlindjes.
Ti je Biri im ‑ Djali i dishirit
Në sfondin e skenës së Ungjillit (Lk 3,15-16.21-22) është populli në pritje. Nga ai del figura e Jezusit, që bashkohet me të e merr pagëzimin për faljen e mëkateve. Më pëlqen - vijoi Papa - të kujtoj fjalët e një himni liturgjik që e kam cituar në disa raste të tjera dhe që e pasqyron shumë mirë qëndrimin e përvuajtur me të cilën njerëzit shkuan të pagëzoheshin nga Gjoni: “me shpirt lakuriq dhe me këmbë të zbathura”:
“E, kur Jezusi merr pagëzimin, ndodh Dëftimi i Zotit, i cili jo vetëm zbulon fytyrën në Birin, por bën të dëgjohet edhe zëri i tij, që ushton prej qiellit: ‘Ti je Biri im ‑ Djali i dishirit. Ty të përkrah plotësisht!”(v 22)
Fytyra dhe zëri
Fytyra dhe zëri - kujtoi Papa - duke e ftuar turmën e besimtarëve që e ndiqte në heshtje të plotë nga Sheshi i Vatikanit për t’u ndaluar në këto dy karakteristika njerëzore, që Zoti i bën të Vetat.
Para së gjithash fytyra - vijoi Ati i Shenjtë Bergoglio - Duke u dëftuar përmes Birit, Zoti cakton një vend të zgjedhur për të hyrë në dialog dhe në bashkim me njerëzimin:
Në fytyrën e Birit të dashur, që ne e njohim, është me të vërtetë Zoti; e pikërisht në fytyrën e Birit të dashur mund të shohim edhe tiparet tona, mund të zbulojmë se edhe ne jemi bij të Atit dhe të njohim praninë e tij në motrat dhe vëllezërit tanë”.
Zoti është dashuri
Së dyti, Ati bën të jehojë zëri i tij, që thotë: “Ti je Biri im, i dashuri” (v. 22):
E kjo është një tjetër shenjë që shoqëron zbulesën e Jezusit në çastin e pagëzimit. Zoti - theksoi Papa - nëpërmjet Fjalës, na tregon thelbin e natyrës së tij: dashurinë:
“Zoti është dashuri, Zoti na do të gjithëve si bij, le ta kujtojmë këtë! Kushdo që e mirëpret këtë dashuri ‘mbetet në Zotin e Zoti në të’ (1 Gjonit 4,16), e bëhet bir si Jezusi”.
Një breshëri pyetjesh aktuale, për forcimin e fesë
Të dashur vëllezër dhe motra - theksoi në përfundim të lutjes së Engjëllit të Zotit Papa - festa e sotme na bën të sodisim fytyrën dhe zërin e Zotit, që duken në natyrën njerëzore të Jezusit, prandaj ta pyesim veten: a na do e na shoqëron Zoti, apo mendojmë se Ai është larg nesh ? A jemi në gjendje ta njohim fytyrën e tij tek Jezusi dhe tek vëllezërit tanë? A e dëgjojmë zërin e tij?
E edhe ta shfrytëzojmë këtë rast për të pyetur veten: a e mbajmë mend datën e pagëzimit tonë? Është ditë e rëndësishme, për t'u fiksuar ndër zemra: ditë në të cilën rilindem në një jetë të re, të radhitur në misterin e Krishtit dhe të Kishës:
T'ia besojmë veten Virgjërës Mari, duke kërkuar ndihmën e saj që të dimë të jetojmë si bij të dashur.