Papa: mos u bëni bashkëfajtorë në shfrytëzimin e fëmijëve
R.SH. –Vatikan
Çështja e punës së fëmijëve ishte sërisht tema e zgjedhur nga Papa Françesku në audiencën e përgjithshme. Në katekizmin e mbajtur sot, 15 janar, në Sallën Pali VI, Françesku preku veçanërisht temën e mprehtë të shfrytëzimit në sektorët e prodhimit ushqimor dhe tekstil, sepse “edhe sot në botë qindra milionë të mitur, ndonëse nuk kanë moshë për të përmbushur detyrimet e moshës madhore, detyrohen të punojnë. E shumë prej tyre kryejnë punë veçanërisht të rrezikshme”. Ndaj Papa shqetësohet shumë për fëmijët "skllevër të trafikimit për prostitucion ose pornografi si dhe për martesa të detyruara".
“Në shoqëritë tona, për fat të keq, ka shumë mënyra në të cilat fëmijët shpërdorohen e keqtrajtohen. Shpërdorimi i fëmijëve, i çdo natyre, është akt i neveritshëm dhe mizor. Nuk është thjesht plagë shoqërore a krim; Është shkelje shumë e rëndë e urdhërimeve të Zotit. Edhe një rast, tashmë është i tepërt”.
Zgjimi i ndërgjegjes dhe mbrojtja e të miturve
Përballë gjithë kësaj, ne duhet të "zgjojmë ndërgjegjet, të praktikojmë afërsinë dhe solidaritetin konkret me fëmijët dhe të rinjtë e dhunuar" - nxit Françesku - i cili kërkon "të krijojmë besimin dhe bashkëpunimin" e atyre, që përpiqen t'u ofrojnë të miturve "mundësi dhe vende të sigurta", ku mund të rriten në paqe”.
Analiza e Papës është e qartë: sot janë më të rinjtë ata, që paguajnë “çmimin më të lartë” të “varfërisë së përhapur”, të “mungesës së mjeteve shoqërore për të mbështetur familjet”, të “braktisjes së thelluar vitet e fundit, njëheresh me papunësinë” dhe "pasigurinë e punës". Edhe në qytetet e mëdha ku ka më shumë "ndarje sociale" dhe "degradim moral", "ka edhe fëmijë të punësuar në tregtinë e drogës dhe në aktivitete të ndryshme të paligjshme ". Ndërmjet tjerash, "nganjëherë në mënyrë tragjike", "shtyhen deri në atë pikë, sa të bëhen “xhelatët” e bashkëmoshatarëve të tjerë, duke dëmtuar veten, dinjitetin dhe humanizmin e tyre”.
Françesku përsëriti keqardhjen e tij për indiferencën ndaj "këtyre jetëve të humbura" që hasen "në rrugë, në lagje, në famulli" dhe ftoi për t’u ndalur dhe "për të dëgjuar vuajtjet e atyre që nuk kanë zë, të atyre që nuk kanë shkollë":
Është e vështirë për ne të pranojmë padrejtësinë sociale që i shtyn dy fëmijë, ndoshta banorë të së njëjtës lagje apo pallati, të marrin rrugë dhe fate diametralisht të kundërta, sepse njëri prej të dyve ka lindur në një familje të pafavorizuar. Ndryshim i papranueshëm njerëzor dhe shoqëror: ndërmjet atyre që mund të ëndërrojnë dhe atyre që duhet të dorëzohen. Por Jezusi na do të gjithëve të lirë dhe të lum.
Mos u bëni bashkëfajtorë të shfrytëzimit të të miturve
"Për të ndërtuar të ardhmen më të mirë", duhet "të luftojmë shfrytëzimin, veçanërisht shfrytëzimin e fëmijëve" - nënvizoi Papa, i cili këshilloi se si mund të kontribuojë secili prej nesh:
“Para së gjithash, duhet të pranojmë se po deshëm të zhdukim punën e fëmijëve, nuk mund të jemi bashkëfajtorë në të. E kur jemi? Për shembull, kur blejmë produkte të dala nga djersa e fëmijëve? Si mund të ha dhe të vishem duke ditur se pas atij ushqimi apo atyre veshjeve janë fëmijët e shfrytëzuar, të cilët punojnë, në vend që të shkojnë në shkollë? Ndërgjegjësimi për atë që blejmë, është hapi i parë për të shmangur bashkëfajsinë”.
Institucionet dhe gazetarët duhet të luajnë rolin e tyre
Françesku u bën thirrje "institucioneve, duke përfshirë edhe ato të kishës dhe të bizneseve" të jenë përgjegjëse: "mund ta bëjnë një ndryshim, duke zhvendosur investimet e tyre drejt kompanive që nuk e përdorin ose nuk e lejojnë punën e fëmijëve".
Më pas Papa bën thirrje në nivel ndërkombëtar. U drejtohet veçanërisht kronistëve, për ta nxjerrë në dritë shfrytëzimin e të miturve dhe për t'i dhënë fund.
Shumë shtete dhe organizata ndërkombëtare kanë miratuar tashmë ligje dhe direktiva kundër punës së fëmijëve, por mund të bëhet më shumë. I nxis gazetarët të bëjnë pjesën e tyre: ata mund të ndihmojnë në rritjen e ndërgjegjësimit për problemin dhe gjetjen e zgjidhjeve.
Duke parë të vegjlit e padukshëm
Së fundi, Papa falenderon ata që punojnë në emër të fëmijëve dhe kujton Nënë Terezën, e cila ishte shumë pranë fëmijëve, kryesisht "më të pafavorizuarve dhe më të harruarve": "Me ëmbëlsinë dhe vëmendjen e shikimit të saj, mund të na shoqërojë për t’i ndihmuar të vegjlit e padukshëm - kujtoi Papa - skllevër të shumtë të një bote, që nuk mund t'i lëmë në padrejtësitë e saj. Sepse lumturia e më të ligshtit ndërton paqen e të gjithëve".
E, në përfundim të katekizmit, Papa propozon një shkrim të Murgeshës shqiptare, fituese të Çmimit Nobel për Paqe për t'u dhënë "fëmijëve pa zë, atë zë, që nuk e kanë":
“Kërkoj vend të sigurt
ku fëmija qesh e luan.
Buzëqeshje kërkoj
prej atyre që të duan.
Kërkoj të drejtën
për fëmijë të lirë,
që shpresë të jenë
në një botë më të mirë.
Kërkoj të rritem
si bën çdo njeri
më thuaj a mundem
të mbështetem tek Ti?”.