Paris, kardinali Parolin: marrëdhënie konstruktive ndërmjet Kishës dhe shtetit
R.SH. – Vatikan
Pas takimit me kreun e qeverisë franceze François Bayrou, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin – për vizitë në Paris më 15 dhe 16 janar – mori pjesë në Quai d'Orsay (Ministria e Jashtme e Francës) në një konferencë me temë “Vazhdimësia dhe aktualiteti i Marrëveshjes Poincaré-Cerretti e vitit 1924”. Të pranishëm edhe ministri i Punëve të Jashtme, Jean-Noël Barrot, nunci apostolik, kryeipeshkvi Celestino Migliore dhe kryetari i Konferencës Ipeshkvnore Franceze, imzot Éric de Moulins-Beaufort.
Në fjalën e tij, kardinali vuri në dukje jetëgjatësinë e Marrëveshjes, e cila u nënshkrua pas letërkëmbimit ndërmjet nuncit të atëhershëm në Francë, Bonaventura Cerretti dhe kryeministrit francez Raymond Poincaré, në janar 1924. Me të, Kishës Katolike në vend iu dha personalitet juridik. Pas "njëzet vjet konfliktesh dhe tensionesh ndërmjet Republikës Franceze dhe Selisë së Shenjtë", për shkak të boshllëkut juridik të krijuar nga ligji i vitit 1905 për ndarjen e Kishës nga shteti, marrëveshja Poincaré-Cerretti mundësoi themelimin e shoqatave dioqezane, duke respektuar autoritetin hierarkik të përfaqësuar nga ipeshkvi, nënvizoi kardinali Parolin.
Vëllazërimi, garant i respektit për shtetin laik
Më pas, kardinali u përqendrua mbi konceptin francez në bazë të shtetit laik. Parimi, nënvizoi ai, nuk vihet në diskutim, por "interpretimi i tij i veçantë dhe mënyra se si kuptohet, përmendet, ose zbatohet mund të sjellë shqetësime", vuri në dukje ai. Parolin kujtoi thirrjen e Papës Françesku për një "shtet laik të shëndetshëm" gjatë udhëtimit në Ajaccio, më 15 dhjetor, duke kërkuar "një laicitet në zhvillim dhe dinamik, në gjendje t’u përshtatet situatave të ndryshme dhe të nxisë bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet autoriteteve civile dhe fetare".
Ekuilibri ndërmjet barazisë dhe lirisë së ndërgjegjes
“Ardhja e popullsive me origjinë të ndryshme kulturore dhe fetare, nganjëherë, ngre pikëpyetje për shtetin laik, ashtu siç është krijuar në Francë”, shtoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit; në këto raste, i duhet referuar një vlere tjetër themeltare të Republikës Franceze: vëllazërimit. “Zgjidhja e këtyre tensioneve kërkon respektimin e ekuilibrit ndërmjet barazisë së qytetarëve dhe lirisë së ndërgjegjes, ekuilibër që mund ta bëjë të mundur vetëm vëllazërimi”.
Kardinali uroi që katolicizmi, ashtu si fetë e tjera, të trajtohet gjithmonë, duke respektuar barazinë e qytetarëve para ligjit dhe të gjitha besimet fetare, siç parashikohet nga ligji i vitit 1905 dhe nga Kushtetuta franceze.
Rindërtimi i Notre-Dame, rezultat i një bashkëpunimi të mirë të Kishës me shtetin
Në fjalën e tij, kardinali përmendi edhe rihapjen, më 7 e 8 dhjetor, të katedrales pariziane të Notre-Dame, pesë vjet pas zjarrit që e shkatërroi. Vuri në pah entuziazmin që kjo ngjarje ngjalli në Francë dhe Evropë: “Ishte jo vetëm shenjë e fuqishme, por edhe shprehje e aspiratave të secilit: takohemi qetësisht, në një vend kulti shekullor, që ka karakterizuar çastet më të rëndësishme të historisë franceze, për 850 vjet me radhë”.
"Notre-Dame, në shkëlqimin e bukurisë së saj të rizbuluar dhe të madhështuar, u dha të gjithëve një moment hiri, vëllazërimi e bashkimi", përfundoi Parolin. “Si mund të mos nënvizojmë, pra, në dritën e këtij shembulli, se sa marrëdhëniet e mira të Kishës me Shtetin, në respektimin e laicitetit, kanë qenë thelbësore për t'i kthyer Francës margaritarin e saj parizian?”. Së fundi, në emër të Papës, urimi për t’i "mbajtur të qeta dhe konstruktive marrëdhëniet ndërmjet Kishës dhe Shtetit".