ÃÛÌÒ½»ÓÑ

Java e Lutjes për Unitetin e të Krishterëve 2025 Java e Lutjes për Unitetin e të Krishterëve 2025

Papa më 25 janar kryeson lutjet Mbrëmësore në Bazilikën e Shën Palit jashtë mureve

Të shtunën më 25 janar, në solemnitetin e festës së Kthimit të Shën Palit Apostull, Papa Françesku do të kryesojë lutjet e dyta Mbrëmësore, me rastin e mbylljes së Javës së 58-të të Lutjes për Unitetin e të Krishterëve 2025, në përkujtim të 700-vjetorit të Koncilit të Nikesë, në Bazilikën romake kushtuar pikërisht shën Palit.

R.SH. - Vatikan

Kanë kaluar 1700 vjet - ishte viti 325 pas Krishtit – nga Koncili i parë kishtar ekumenik në histori, ai i Nikesë, në Turqinë e sotme. Me rastin e këtij përvjetori, Java e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve 2025, e cila do të kremtohet nga data 18 deri më 25 janar, merr një kuptim të veçantë. Në mbyllje të kësaj jave, më datën 25 janar, në solemnitetin e Kthimit të Shën Palit, në orën 17:30, në Bazilikën e Shën Palit Jashtë Mureve, Papa Françesku do ta mbyllë Javën me kremtimin e lutjeve Mbrëmësore.

Po kujtojmë se Java e Lutjes për Unitetin e të Krishterëve (SPUC) sivjet mbahet nga data 18 deri më 25 janar 2025, në përkujtim të 700-vjetorit të Koncilit të Nikesë. Tema e këtij viti është: "A e beson këtë?" (Gjoni 11, 26), dhe është frymëzuar nga dialogu midis Jezusit e Martës. Tekstet për reflektim gjatë kësaj jave të lutjes janë redaktuar nga Komuniteti Murgar i Bose-s dhe janë frymëzuar nga 1700-vjetori i Koncilit Kishtar të Nikesë, i pari koncil ekumenik në krishterim.

Gjatë Javës së Lutjes për Unitetin e të Krishterëve, Kishat ftojnë dhe inkurajojnë besimtarët të gjejnë mundësi për t'u lutur së bashku për arritjen e unitetit të plotë që është vullneti i vetë Jezu Krishtit. Dioqeza e Romës organizon një "vigjilje itinerante" në Kishat luterane dhe ortodokse dhe në famullinë e San Camillo de Lellis.

13 janar 2025, 14:34