ҽ

Kard. Parolin takon nuncët apostolikë në Lindjen e Mesme Kard. Parolin takon nuncët apostolikë në Lindjen e Mesme

Kard. Parolin takon nuncët apostolikë në Lindjen e Mesme. Bisedë me presidentin e ri të Libanit

Një deklaratë e Selisë së Shenjtë bën të ditur se Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Parolin, pati një takim në Aman me përfaqësuesit diplomatikë të Papës në Bahrein, Egjipt, Emiratet e Bashkuara Arabe, Jordani, Iran, Irak, Izrael, Kuvajt, Liban, Oman, Palestinë, Katar, Siri dhe Jemen. U shpreh urimi për armëpushim "në të gjitha frontet" dhe dëshira për paqe në Lindjen e Mesme. Në bisedën telefonike me presidentin libanez Aoun, urimet për zgjedhjen në detyrë

R.SH. - Vatikan

Në Aman të Jordanisë, ku shkoi për kushtimin eKkishës së Pagëzimit të Jezusit, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, dje, më 13 janar, u takua me nuncët apostolikë, diplomatë të Vatikanit në rajonin e Lindjes së Mesme. Kështu bën të ditur në një komunikatë, Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë, e cila saktëson se në takim morën pjesë përfaqësuesit diplomatikë papnorë të akredituar në Mbretërinë e Bahreinit, në Republikën Arabe të Egjiptit, në Emiratet e Bashkuara Arabe, në Mbretërinë Hashemite të Jordanisë dhe në Republikën Islame të Iranit, në Republikën e Irakut, në Shtetin e Izraelit, në Shtetin e Kuvajtit, në Republikën e Libanit, në Sulltanatin e Omanit, në Shtetin e Palestinës, në Shtetin e Katarit, në Republikën Arabe Siriane dhe në Republikën e Jemenit.

Shpresa e Lindjes së Mesme, "toka e paqes"

Gjatë takimit, thuhet në njoftimin e Selisë së Shenjtë, "u trajtuan krizat që po ndodhin aktualisht në rajon, si edhe kushtet politike e kishtare të secilit vend, shenjat e shpresës që duken në disa vende, si edhe situatat e rënda humanitare në të cilat gjenden popullsitë më të përfshira në konflikte, iu kërkua gjithashtu solidaritet bashkësisë ndërkombëtare”. "Shpresohet - lexohet më tej në komunikatën e Selisë së Shenjtë - që zjarri në të gjitha frontet të ndalet sa më shpejt dhe Lindja e Mesme të jetë një tokë paqeje, ku të krishterët mbeten një komponent thelbësor për bashkëjetesën vëllazërore midis feve të ndryshme dhe për përparimin e vendeve të tyre".

Telefonatë me presidentin e sapozgjedhur libanez

Në të njëjtën kohë, Salla e Shtypit e Vatikanit njoftoi se Sekretari i Shtetit të Selisë së Shenjtë, kardinali Parolin, foli dje pasdite me Joseph Aoun, presidentin e ri të Libanit, zgjedhur më 9 janar. “Gjatë bisedës së përzemërt telefonike – nënvizohet në komunikatë – Shkëlqesia e tij Parolin i shprehu urimet më të mira për zgjedhjen si president i Republikës së Libanit dhe e siguroi për lutjet e tij. Gjithashtu, me kënaqësi, vuri në dukje emërimin, në kohë të shkurtër, të kryeministrit të Libanit, zotit Nawaf Selam”.

14 janar 2025, 10:51