Kard. Parolin: lirimi i të burgosurve kubanë është shenjë shprese
R.SH. – Vatikan
“Lajmi për lirimin gradual të 553 të burgosurve kubanë është shenjë shprese e madhe, në këtë fillim Jubileu”. Këtë pohon kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Selisë së Shenjtë, i intervistuar nga mediat e Vatikanit, ndërsa ndodhej në Francë.
“Është kuptimplotë fakti që autoritetet e Havanës – vëren kardinali – e lidhën drejtpërdrejt këtë vendim me thirrjen e Papës Françesku, i cili në Bulën e shpalljes së Jubileut, si edhe në disa raste të tjera, kërkoi gjeste mëshire, siç ka ndodhur shpesh për Vitet e Shenjta”.
“Viti 2024 – kujton Parolin – përfundoi me vendimin e presidentit të SHBA-së për të ndryshuar dhjetëra dënime me vdekje në burgim të përjetshëm dhe me lajmin se Zimbabve shfuqizoi dënimin me vdekje. Shpresojmë që viti 2025 të vazhdojë në këtë drejtim dhe që lajmet e mira të shumohen, veçanërisht me armëpushim për konfliktet e shumta ende në vijim”.