Inteligjenca Artificiale zbarkon edhe në Vatikan
R.SH. – Vatikan
Inteligjenca Artificiale zbarkon edhe në Vatikan. Që nga fillimi i këtij viti ka hyrë në fuqi dekreti, që përcakton “udhëzimet” për përdorimin e saj. Nënvizohet se do të krijohet një Komision dhe njoftohet se brenda një viti do të hyjnë në fuqi rregullore dhe ligje zbatuese. “Është hera e parë që Guvernatorati vendos norma për Inteligjencën Artificiale – nënvizohet në notën e të njëjtit institucion - dhe këtë e bën duke pranuar ftesën e Papës Françesku, me synimin për të administruar ndryshimet aktuale dhe për t’i kanalizuar ato drejt progresit, duke respektuar centralitetin e njeriut dhe të drejtësisë shoqërore. Si edhe duke nënvizuar aspektin etik dhe transparent”.
Fusha e zbatimit është e kufizuar: për shembull, përdorimi i saj është i mundur në sisteme dhe modele, që “kontribuojnë në përmirësimin e shëndetit të njeriut dhe në mbrojtjen e shëndetësisë". Në këtë sektor, krahas garancisë së informacionit për pacientët, përdorimi i Inteligjencës Artificiale nuk duhet të "paragjykojë apo të kufizojë vlerësimin e profesionistëve të mjekësisë”.
Një fushë tjetër e mundshme e përdorimit të Inteligjencës Artificiale ka të bëjë me "ruajtjen, administrimin, vlerësimin e trashëgimisë artistike-muzeore të Shtet-Qytetit të Vatikanit”. Përsa i përket përdorimit të sistemeve dhe modeleve të Inteligjencës Artificiale në riprodhimin, nxjerrjen dhe krijimin e përmbajtjeve tekstuale, muzikore, fotografike, audiovizive, radiofonike dhe figurative, nuk ka ndonjë ndalim të veçantë, por kërkohet që këto përmbajtje të identifikohen "përmes akronimit AI (Artificial Inteligence)". Edhe këto përmbajtje multimediale do të kenë të drejtë autori: Guvernatorati do të jetë "pronari" ekskluziv i së drejtës së autorit dhe i të drejtave të përdorimit ekonomik të këtyre përmbajtjeve, krijuar përmes Inteligjencës Artificiale. Së fundi, theksohet se këto përmbajtje nuk duhet të shkaktojnë "paragjykime ndaj nderit, reputacionit, respektit dhe prestigjit të Atit të Shenjtë, kreu i Kishës Katolike dhe i Shtet-Qytetit të Vatikanit”. Norma të tjera rregullojnë përdorimin e Inteligjencës Artificiale në vendin e punës, në administratë dhe në drejtësi.