Imzot Gallagher në Kongo: Papa e do këtë vend, ndërtoni një shoqëri të drejtë e të bashkuar
R.SH. / Vatikan
Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtete, Imzot Gallagher për vizitë në Kongo, u çoi të gjithë kongolezëve urimin e Françeskut: "Ati i Shenjtë është pranë jush sa herë që shpirti juaj i qëndrueshëm vihet në provë nga fatkeqësitë natyrore dhe situatat e vështira në jetë e në shoqëri". Ftesa e Jubileut është “të mos na vidhet shpresa”.
Kryeipeshkvi Imzot Paul Richard Gallagher kujtoi përshëndetjet dhe afërsinë e Papës Françesku për popullin e Republikës së Kongos, të vënë në provë nga fatkeqësitë natyrore, konfliktet fisnore dhe vështirësitë në jetë e në shoqëri. Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare ndodhet në Republikën e Afrikës Qendrore që nga e shtuna, më 11 janar, me rastin e fillimit të punës së Komisionit të Përbashkët për zbatimin e Marrëveshjes Kornizë. Domethënë, marrëveshjes së nënshkruar në vitin 2017, që hyri në fuqi në vitin 2019, e që njeh personalitetin juridik të Kishës dhe institucioneve të saj, duke ruajtur pavarësinë dhe autonominë e tyre.
Mesha në shesh
Në kryeqytetin Brazzaville imzot Gallagher u takua me Presidentin N'Guesso, Kryeministrin Collinet Makosso dhe Ministrin e Jashtëm të Kongos, ndërsa të dielën e kaluar kremtoi Meshën për Jubileun e lëvizjeve kishtare në sheshin e katedrales, kushtuar Zemrës së Krishtit. Të pranishëm, Kryeipeshkvi i Brazzaville, Bienvenu Manamika, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore, Nunci Apostolik ImzotJavier Herrera Corona, ipeshkvijtë kongolezë dhe disa anëtarë të qeverisë, si dhe një mori besimtarësh, nga realitetete të ndryshëme kishtare, të cilët e gjallëruan festën me muzikë, këngë e valle tradicionale.
Përshëndetja dhe falënderimi i Papës
“Sot ju sjell përshëndetjet dhe bekimin e Papës Françesku, i cili e ndjek me shumë vëmendje jetën e popullit kongolez. Papa ju do dhe është pranë jush!” - theksoi Imzot Gallagher në fillim të homelisë së Meshës. “Papa Françesku mendon për të gjithë ju, të dashur vëllezër dhe motra të bashkësisë katolike kongoleze. Ai i di mirë pritjet dhe shpresat tuaja për paqe dhe vëllazëri. Është me ju në kohë të vështira, kur shpirti juaj i qëndrueshëm vihet në provë.
Papa e falënderon gjithë popullsinë dhe Kishën Kongoleze - kujtoi Imzot Gallagher - për dëshminë që japin në favor të Ungjillit dhe të ndërtimit të një shoqërie më të drejtë e më vëllazërore". E shpreson se “Viti Jubilar do të forcojë fenë tuaj dhe do ta ndriçojë rrugën e gjithë Kishës Kongoleze drejt shenjtërisë'.
Jubileu, kohë kthese
E njëjta ftesë, që pati shprehur në fillim të liturgjisë, u përqendrua tërësisht në temat e shpresës, gëzimit dhe misionit të krishterë, në kuadër të Jubileut, “kohë e privilegjuar e mëshirës së Zotit, kohë e privilegjuar e kthesës dhe e shpresës". Viti Shenjt është “ftesë radikale për t'u zgjuar nga gjumi i zakoneve, ftesë për të çliruar zemrat tona nga gjithçka që na pengon t'i kushtojmë vëmendje ardhjes së Zotit në jetën tonë dhe ta njohim atë, të pranishëm ndërmjet nesh" - nënvizoi Imzot Gallagher. Më pas nxiti “për të rifilluar me energji të përtërirë rrugën e ungjillëzimit" dhe, përsëri, "për ta respektuar krijimin, për lidhje vëllazërore me të gjithë, për praktikimin e drejtësinë, për praktikimin e bamirësisë, ndihmës së më të ligshtit e më të varfërit”.