ҽ

2025.01.13 Papa me një delegacion budistësh nga Mongolia 2025.01.13 Papa me një delegacion budistësh nga Mongolia

Papa: ndërmjet fatkeqësive e ndeshjeve, prijësit fetarë ta çojnë njerëzimin në kulturën e paqes

Françesku priti sot në audiencë një delegacion budist nga Mongolia, i shoqëruar nga Kardinali Marengo, Prefekt Apostolik i Ulaanbaatar. Është vizita e parë në Vatikan nga ana e bashkësisë budiste, feja e shumicës në vendin aziatik. Mongolia është tokë e dialogut dhe e bashkëjetesës paqësore.

R.SH. / Vatikan

Papa Françesku priti sot në audiencë, në Vatikan, një delegacion budist nga Mongolia, i shoqëruar nga Kardinali Marengo, Prefekt Apostolik i Ulaanbaatar: “Në  rrethanat e fatkeqësive natyrore dhe të konflikteve njerëzore, Viti Shenjt na kujton qëllimin e përbashkët për ndërtimin e një bote më paqësore, që krijon harmoni me popujt dhe me shtëpinë e përbashkët”.

Përgjegjësia - në rrethana katastrofash dhe konfliktesh - është e të gjithëve, por veçanërisht e prijësve fetarë: “Ta udhëzojnë njerëzimin që të heqë dorë nga dhuna dhe të përqafojë kulturën e paqes”. Papa Françesku u pohoi pikërisht këtë gjatë shtegtimit të tij në Mongoli, në shtator 2023, përfaqësuesve të feve të ndryshme, mbledhur pranë tij në skenën blu të Teatrit Hun, teatër në formën e një çadre nomade, që nga një kodër shikon shtrirjen e shtëpive, gërmadhave dhe pallateve në Ulaanbaatar.

Kujtimi i asaj ngjarjeje, ndër çastet kulmore të shtegtimit apostolik të Françeskut në Mongoli, vizituar për herë të parë nga një Papë, ishte në qendër të fjalimit të shkurtër që Papa i drejtoi një delegacioni budist nga Mongolia, pritur në Pallatin Apostolik më 13 janar, i shoqëruar nga igumeni i Manastirit Gandantegchinlen, i nderuari D. Javzandorj dhe nga Kardinali Giorgio Marengo, prefekt apostolik i Ulaanbaatar.

Miqësia e Selisë së Shenjtë me popullin "fisnik" mongol

Është vizita e parë në Vatikan nga ana e bashkësisë budiste, feja e shumicës në vendin aziatik, ku katolikët, falë përpjekjes ungjillëzuese të rilindur nga rrënojat e komunizmit, janë pak më shumë se 1200 besimtarë. E, megjithatë, Mongolia është tokë e dialogut dhe e bashkëjetesës paqësore. Vetë prania në Romë e delegacionit budist - vëren Françesku - është shenjë e veçantë e "marrëdhënieve miqësore dhe të qëndrueshme ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe popullit fisnik mongol". "Miqësi" e vërtetë, që Jorge Mario Bergoglio thotë se pati "privilegjin" ta jetonte gjatë shtegtimit të 43-të apostolik të lartpërmendur.

Takimi me krerët fetarë në Ulaanbaatar

Papa kujtoi Takimin e 3 shtatorit 2023 me njëmbëdhjetë udhëheqës të feve të ndryshme. Atë, ku shqiptoi fjalë të rëndësishme për shërbimin e feve ndaj së mirës dhe këshilloi për të mos e ngatërruar besimin me dhunën. Atë ditë, me përfaqësuesit e feve të ndryshme - theksoi Françesku - “reflektuam për dëshirën e thellë shpirtërore të të gjithë burrave dhe grave, që mund ta krahasojmë me një bashkim të madh vëllezërish dhe motrash që ecin nëpër jetë me sytë e lartuar nga qielli”. Pastaj Papa i mirëpriti mysafirët e tij "si vëlla për të gjithë, në emër të kërkimit të përbashkët fetar".

Përtëritja fetare dhe tranzicioni demokratik

Duke u kthyer edhe më tej pas në kohë, Papa Françesku kujtoi periudhën e vështirë, por në të njëjtën kohë, edhe lulëzimin e viteve 1990, kur, pas rënies së regjimit, vendi nisi "një përtëritje të thellë fetare". Falë edhe "përkushtimit" e "kontributit" të budizmit, Papa vëren: "Duke ringjallur praktikat tradicionale shpirtërore dhe duke i integruar ato në zhvillimin e kombit, Mongolia ka rifituar trashëgiminë e saj të pasur fetare, duke dëshmuar njëkohësisht përpjekjet e saj për të një tranzicion i suksesshëm demokratik.”

Angazhimi për lirinë fetare dhe dialogun

Jo vetëm kaq: Papa vlerëson gjithashtu "angazhimin për lirinë fetare dhe dialogun ndërmjet besimeve të ndryshme", që "kultivoi një mjedis respekti të ndërsjellë për të gjitha traditat, duke krijuar një shoqëri të pasuruar jo vetëm nga prosperiteti material, por edhe nga vlerat themelore “për solidaritet vëllazëror”. “Duke i jetuar këto vlera, fetë luajnë një rol themelor në ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe kohezive”, pohoi Papa.

Të veprojmë konkretisht për paqen

Mendimi, më pas, zhvendoset te Jubileu, në traditën e krishterë "kohë shtegtimi, pajtimi dhe shprese" por edhe "kohë e sulmuar nga fatkeqësitë natyrore dhe konfliktet njerëzore. Ky Vit i Shenjtë - nënvizoi Papa Françesku - na kujton objektivin e përbashkët për ndërtimin e një bote më paqësore, e cila dëshiron harmoninë ndërmjet popujve të shtëpisë sonë të përbashkët”. Prej këtu, një mandat i qartë: “Dëshira universale për paqe na nxit të gjithëve për të ndërmarrë veprime konkrete: në veçanti, si udhëheqës fetarë të rrënjosur në mësimet tona përkatëse, kemi përgjegjësinë ta bindim njerëzimin të heqë dorë nga dhuna dhe të përqafojë kulturën e paqes".

Në përfundim të audiencës, urimi për një qëndrim “të këndshëm dhe pasurues” në Romë dhe për takimin që pasoi me Dikasterin për Dialogun Ndërfetar, “mundësi për të thelluar bashkëpunimin në ndërtimin e një shoqërie të bazuar mbi dialogun”.

17 janar 2025, 16:14