Papa, meshtarëve argjentinas: të jeni të përvuajtur, mendjemadhësia ju bën më të brishtë
R.SH. – Vatikan
Ishte një përshëndetje konfidenciale ajo, që Françesku i drejtoi në spanjisht bashkësisë së Kolegjit meshtarak argjentinas në Romë, pritur në audiencë sot paradite, 16 janar, në Bibliotekën e Pallatit Apostolik të Vatikanit. Bergoglio ua dorëzoi meshtarëve dhe edukatorëve fjalimin e përgatitur, në të cilin vëren se do të kishte dashur të kremtonte meshën së bashku me ta dhe të hante një darkë të këndshme, siç është zakon në Argjentinë. “Nuk kam nevojë t'ju them se kam ende mall për mish të pjekur”, shkruan Papa, i cili, natyrisht, nuk mund të marrë pjesë në një festë të tillë, për shkak të impenjimeve të tij.
Shembulli i "famullitarit Brochero"
Duke kujtuar vendin e tij të lindjes, Papa përmend Shën Joseph Gabriel del Rosario Brochero, i njohur si "el cura Brochero", meshtar dioqezan që jetoi ndërmjet shekujve XIX dhe XX, i përkushtuar për më të varfërit, duke ndërtuar kisha, shkolla, rrugë e duke marrë edhe lebrën gjatë vizitave tek të sëmurët. Një figurë e përshtatshme për ata, që vazhdojnë të përgatiten “për të përballuar betejën e mundimshme të Ungjillit”, thekson Françesku, i cili i nxit meshtarët argjentinas të punojnë, edhe ata, për të mirën e të tjerëve, duke u konsumuar për Ungjillin, pa harruar Eukaristinë, edhe kur kjo u kërkon sakrifica.