ҽ

Papa dhe ciganët Papa dhe ciganët

Papa: ciganët përballen ende me paragjykime dhe situata të dhimbshme

Mesazh i Françeskut për 600-vjetorin e pranisë së popullit cigan në Spanjë: në historinë tuaj, shumë mënjanim dhe refuzim, por Zoti ka qenë gjithmonë me ju. Papa i fton të jenë "shtegtarë të shpresës për kaq shumë njerëz, që e kanë humbur gëzimin e jetës"

R.SH. – Vatikan

Histori e karakterizuar shpesh nga “keqkuptimi”, “refuzimi”, “përjashtimi”: është fjala për ciganët në Spanjë, 600-vjetori i pranisë së të cilëve do të kremtohet gjatë vitit 2025. Një përvjetor i rëndësishëm, që Papa dëshiron ta përkujtojë me një mesazh, në të cilin thekson afërsinë e Zotit me këta njerëz “edhe në çastet më të vështira”. Zoti "është shtegtar në histori me njerëzimin dhe bëhet nomad me popullin cigan", shkruan Papa në tekstin e nënshkruar më 9 dhjetor 2024 në Shën Gjonin në Lateran, por bërë publik të dielën, më 12 janar.

Një rrugë e re drejt përfshirjes

Në shkrimin e tij, tërësisht në spanjisht, Papa thekson “përpjekjen e bërë dekadave të fundit nga populli cigan, Kisha dhe shoqëria spanjolle në tërësi, për të ndërmarrë një rrugë të re drejt përfshirjes dhe respektimit të identitetit të ciganëve”. Udhë me "shumë fryte", vëren Ati i Shenjtë, por "duhet të vazhdojmë punën, sepse ka ende paragjykime për t’u kapërcyer dhe situata të dhimbshme për t'u përballuar". Ndërmjet tyre: “Familje në nevojë, që nuk kanë me se të ndihmojnë fëmijët e tyre në vështirësi, njerëz të varfër që nuk mund të studiojnë, për shkak të vështirësive ekonomike, të rinj që nuk gjejnë punë të denjë, gra që vuajnë diskriminimin në familje dhe në shoqëri”.

Një Kishë që hap dyert

Papa Françesku përsërit mesazhin “e paharrueshëm” të Papës shenjt Palit VI, shqiptuar në Pomezia më 1965, para mijëra ciganëve nga e gjithë bota: “Ju jeni zemra e Kishës. Jeni bija dhe bij të dashur të Zotit…”. Në këtë Kishë, nënvizon Ati i Shenjtë, shumë njerëz i kushtohen “me përgjegjësi dhe dashuri” zhvillimit të gjithanshëm të popullit cigan. Është Kishë, që "do të vazhdojë t’i mbajë hapur dyert, në mënyrë që të gjithë të ndihen si në shtëpinë e tyre", vijon Papa, duke siguruar se "Zoti nuk mund të kapërcehet në bujari", prandaj, "ai do t’i bëjë të frytshme dashurinë dhe kohën”, që këta njerëz ia kanë kushtuar dhe ia kushtojnë kujdesit baritor me ciganët.

Vlera për të ofruar

Papa Françesku kujton Sinodin e fundit, që ritheksoi rëndësinë e "ecjes së bashku". “Ecni së bashku” është edhe ftesa, që u bën ciganëve të Spanjës: ecni së bashku me ipeshkvijtë, përgjegjësit e delegacioneve dhe sekretariatet baritore, me famullitë, vëllazëritë, shoqatat, organizatat dioqezane. Ati i Shenjtë kujton se popujt nomadë kanë shumë për t'i ofruar Kishës dhe shoqërisë, duke u nisur nga “vlerësimi për të moshuarit dhe ndjenja e familjes”, tek “kujdesi për Krijimin” dhe për gjendjen e “shtegtarëve drejt atdheut qiellor”; nga “aftësia për ta ruajtur gëzimin dhe për të festuar edhe kur ka re të errëta në horizont” tek "puna - aq shpesh e keqkuptuar - si mjet për të jetuar dhe jo aq si mjet për të grumbulluar" pasuri. Vlera, që janë "jo vetëm ungjillore", por edhe "profetike dhe kundër kulturës së këtyre kohëve", shkruan Papa.

Përhapja e gëzimit të jetës

Që këtej, ftesa për të "përhapur gëzimin e jetës në fe, shpresë dhe dashuri të krishterë, veçanërisht ndër të rinjtë, që kanë vështirësi të gjejnë Zotin brenda dhe jashtë Kishës Katolike". “Me fjalët, angazhimin dhe vëllazërimin tuaj, të jeni shtegtarë të shpresës për njerëzit e shumtë, që e kanë humbur gëzimin e jetës”, nxit Papa, duke inkurajuar edhe të mbahen “dyert e bashkësive të hapura” për ata, që nuk e kremtojnë më fenë në Kishën Katolike, “duke u ofruar gjithmonë miqësinë dhe dialogun tipik të atyre që, si ne, janë të thirrur të jetojnë në vëllazëri, përtej dallimeve”.

Shembulli i të Lumëve Emilia Fernández Rodríguez dhe Ceferino Giménez Malla

Në fund të mesazhit, Papa përmend ciganët e lumë Emilia Fernández Rodríguez dhe Ceferino Giménez Malla, "mësues të fesë e të jetës për ciganët", njerëz "të përvuajtur" e "guximtarë", që ia kanë hapur zemrën madhështisë së Hyjit, duke “na kujtuar rëndësinë e lutjes dhe të takimit me Zotin, burim gëzimi, vëllazërimi, shprese dhe bamirësie”.

Në rreshtat e fundit të letrës, Papa i bën të tijat disa fjalë nga himni i këtyre popujve: Opre Roma isi vaxt akana (Hajde, ciganë! Tani është koha). “Është koha për të vazhduar udhëtimin, për të dhënë më të mirën nga vetja, për të transmetuar butësinë e Zotit”, shkruan Ati i Shenjtë. “Devlesa romá (Zoti qoftë me ciganët)”.

13 janar 2025, 13:04