Jubileu, thirrjet e Papëve për akte mëshire ndaj të burgosurve
R.SH. - Vatikan
Jubileu është rast për të marrë ndjesën, domethënë, siç e lexojmë në Kodin e së Drejtës Kanonike, "faljen para Zotit të dënimit të përkohshëm për mëkatet, që besimtarët i kanë bërë në kushte të caktuara e që tashmë janë falur me ndërmjetësinë e Kishës”. Termi indulgjencë ka të njëjtën rrënjë me një fjalë tjetër, që lidhet me Vitin Shenjt. Është termi falje, nga latinishtja indultum, që ka kuptimin e një lejeje ose privilegji të dhënë, me hir ose dashamirësi, nga një autoritet më i lartë. Në të drejtën penale, ky term përcakton masën e faljes, që çon në faljen e dënimit të mëkatarit. Pendesa dhe ndjesa e çlirojnë njeriun nga zinxhirët, nga pasojat e mëkatit apo të fajit, për t'i dhuruar fillim të ri, mundësi për shëlbim, jetë të re.
Fytyra e Dyfishtë e Hirit
Spektri semantik i termit falje lidhet më pas me fjalë të tjera që kanë të bëjnë me virtytin "jubilar" të faljes, si hiri, mëshira dhe amnistia. Secila prej këtyre masave ka zbatimin e saj të veçantë. Nga pikëpamja juridike, amnistia dhe falja ndryshojnë në një aspekt themelor. Ndërsa amnistia shuan krimin, falja anulon dënimin. Prandaj, me amnisti, shteti heq dorë nga zbatimi i dënimit, ndërsa me falje kufizohet në faljen, tërësisht ose pjesërisht, të dënimit të shkaktuar, megjithatë pa e anuluar krimin. Ka një fjalë tjetër që meriton vëmendje të veçantë. Bëhet fjalë për hirin, i cili ikuadrohet në një kornizë që mund të lexohet në nivel të dyfishtë. Është akti i kreut të shtetit ndaj një të dënuari të vetëm, dënimi i të cilit falet tërësisht ose pjesërisht, ose zbutet me një lloj tjetër dënimi të përcaktuar me ligj.
Në këndvështrimin e krishterë fjala hir ka rëndësi kryesore. Në Katekizmin e Kishës Katolike është “favori, ndihma falas që Zoti na jep në mënyrë që t'i përgjigjemi ftesës së tij: të bëhemi bij të Zotit, pjesëmarrës në natyrën hyjnore, në jetën e amshuar”.
Vëmendja e Kishës ndaj të burgosurve
Vëmendja e Kishës ndaj vëllezërve tanë të burgosur shprehet me vepra mëshire në përgjigje të urdhërit të lashtë: "Vizitoni të burgosurit". Në Ungjill Jezusi e identifikon veten me të burgosurin:“Isha në burg dhe më vizitove”. Në kuadër të Vitit Jubilar, kjo vëmendje e vazhdueshme përkon me thirrjen e përzemërt të Papëve. Në bulën papnore "Spes non confundit"- “Shpresa nuk të gënjen”Papa Françesku u kërkon qeverive që gjatë këtij Jubileu të Shpresës t'ua falin të burgosurve dënimet për fajet e tyre. “Mendoj për të burgosurit që, të privuar nga liria, jetojnë çdo ditë, përveç ashpërsisë së izolimit, boshllëkun emocional, kufizimet e caktuara dhe, në shumë raste, mungesën e respektit. I propozoj qeverive që në Vitin Jubilar të ndërmarrin nisma, që t’ua kthejnë shpresën”.
Frymëmarrja e shpresës
Njeriu mund të falet gjithmonë nga Zoti. Në faqet e Ungjillit takohet veçanërisht figura e hajdutit të mirë, që pendohet për mëkatet e tij në kryq. Ai është i vetmi shenjt i shenjtëruar drejtpërdrejt nga Jezusi. "Sot do të jesh me mua në Parajsë", i tha Krishti në kryq. Duke kërkuar për burrat, e mbi të gjithë, për ata që nuk janë të lirë, frymëmarrjen e shpresës, Papa Françesku kujton se kërkesa për akte mëshire "është thirrje e lashtë, që vjen nga Fjala e Zotit". Paraardhësit e tij, veçanërisht me rastin e Vitit të Shenjtë, kërkuan edhe forma të shlyerjes së dënimeve për të burgosurit.
Piu XII dhe Jubileu i vitit 1950
Viti 1950, siç pati nënvizuar Papa Piu XII në mesazhin radiofonik me rastin e Krishtlindjes 1949, ishte “viti i faljes së madhe”. Papa u drejtohet brezave të prekur nga tragjedia e luftës. “Parakalojnë, si në një procesion mortor, të zi e të detyrueshëm, fytyrat e pikëlluara të jetimëve, të vejave, të nënave që presin kthimin, i cili ndoshta nuk do të vijë kurrë, të të përndjekurve për drejtësi e fe, të burgosurve, refugjatëve dhe të varfërve, të të papunëve, të shtypurve, të atyre që vuajnë në mish e në shpirt, viktima të çdo padrejtësie”.
Papa shpreson se e gjithë e kaluara do të varroset "me pendim të sinqertë". "Kushdo që dëshiron të jetë i krishterë i sinqertë", pohon Papa Pacelli, "duhet të dijë të falë".
Falja dhe amnistia gjatë periudhës jubilare të vitit 1950
Lufta II Botërore shkaktoi plagë të thella në strukturën shoqërore të disa vendeve. Në disa shtete, pas atij konflikti, u miratuan masa faljeje. Në Itali, për shembull, pak para hapjes së Vitit të Shenjtë 1950, u dha amnisti dhe falje. Dënimet me burg më pak se pesë vjet, u falën me dy vjet. Në vitin 1953, përsëri në Itali, u dha amnistia për çdo krim, jo ushtarak apo financiar, për të cilin u vendos një dënim me burg jo më shumë se katër vjet. Gjithashtu, u dha falja për krime politike dhe krime të lidhura me luftën, të kryera nga ata që kishin bërë pjesë në grupet e armatosura.
Në vitin 1975 Pali VI kërkon akte mëshirëse
Viti i Shenjtë 1975 i kushtohet pajtimit. Në bulën “Apostolorum Limina” Papa Pali VI kërkon që, sipas traditës së jubileve të kaluar, “autoritetet kompetente të vendeve të ndryshme ta shqyrtojnë mundësinë e dhënies, sipas sugjerimeve të urtisë së tyre, të një faljeje të frymëzuar nga mëshira dhe barazia, veçanërisht në favor të të burgosurve që kanë dhënë prova të mjaftueshme të rehabilitimit moral dhe civil, ose që janë viktima të situatave të çrregullimeve politike dhe sociale shumë të mëdha, për të cilat janë plotësisht përgjegjës”. Papa Montini u shprehu mirënjohjen e tij "të gjithë atyre, të cilët do të punonin për të siguruar që ky mesazh bamirësie, shoqërie dhe lirie, të cilin Kisha ua drejtonte të gjithëve, me shpresën e gjallë për t'u kuptuar dhe për të dëgjuar, të mirëpritej dhe të zbatohej në realitetin e një rendit më të lartë politik dhe social”.
1983, Papa e fal Ali Agca-në
Pak vite pas thirrjes së Palit VI, Kisha jetoi një tjetër Jubile. Viti i Shenjtë i Shëlbimit u hap në vitin 1983, në 1950 vjetorin e vdekjes dhe ringjalljes së Jezusit. Ky vit shenjt është gjithashtu kohë e një takimi të veçantë: ndërmjet një Pape dhe njeriut që u përpoq ta vriste. Papa Gjon Pali II e kujton këtë ngjarje në një fjalim të 27 dhjetorit 1983, drejtuar të burgosurve të burgut romak të Rebibbia: “Munda të takoj edhe njeriun, të cilin ju të gjithë e njihni. Quhet Ali Agca e, në vitin 1981, më 13 maj, deshi të më vriste, por Providenca i drejtoi gjërat në mënyrën e vet, do të thosha, të jashtëzakonshme, madje, të mrekullueshme. Sot, pas më shumë se dy vitesh, munda të takoj sulmuesin tim e të përsëris edhe faljen time, të cilën e dhashë menjëherë pas sulmit dhe më pas e deklarova edhe publikisht kur munda nga spitali. Mendoj se takimi i sotëm, në kuadër të Vitit të Shëlbimit, është providencial”. "Të gjitha ngjarjet e jetës sonë" shpjegoi Papa Gjon Pali II me atë rast, "duhet të pohojnë atë vëllazëri, që vjen nga fakti se Perëndia është Ati ynë dhe se ne të gjithë jemi bijtë e tij në Jezu Krishtin".
Në vitin 2000 Gjon Pali II kërkon ulje të dënimeve
Jubileu i madh që hap mijëvjeçarin e tretë i përshtatet traditës së viteve jubilare që i paraprinë. Në mesazhin e tij për Jubileun e Burgjeve, Papa Gjon Pali II theksoi se "ato shtete dhe qeveri që janë në proces ose synojnë të ndërmarrin rishikime të sistemit të tyre të burgjeve, për ta përshtatur më mirë me nevojat e personit njerëzor" meritojnë të inkurajohen. Papa Wojtyła u kërkon udhëheqësve të Shteteve të tregojnë një shenjë mëshire për të mirën e të gjithë të burgosurve: "një ulje, qoftë edhe modeste, e dënimit, do të ishte për të burgosurit shenjë të qartë ndjeshmërie ndaj gjendjes së tyre e cila, duke i inkurajuar në angazhimin për pendim ndaj së keqes së bërë, do t’i nxiste për pendim personal”.
Falja në 2006 në Itali
Kërkesa për uljen e dënimit, e nisur nga Papa Gjon Pali II gjatë jubileut të vitit 2000 dhe e përsëritur në vitin 2002 para senatorëve dhe deputetëve gjatë vizitës së tij në Parlamentin italian, pati përgjigje konkrete nga politikanët pak vite më vonë. Më 29 korrik 2006, ligji që parashikonte faljen për krimet e kryera deri më 2 maj të atij viti, u miratua në Itali me një shumicë të madhe ndërpartiake, për dënimet me burgim jo më shumë se tre vjet dhe me një ulje maksimale prej 10.000 euro për ato monetare. Nga kjo masë, e cila solli lirimin e parakohshëm të gati 25 mijë vetëve, u përjashtuan krimet që shkaktuan alarmin më të madh social, si shoqatat subversive, rrëmbimet dhe aktet terroriste,
Françesku në 2015: Qoftë me ne mëshira e Atit
Jubileu i Jashtëzakonshëm i Mëshirës filloi në vitin 2015. Në letrën që jep ndjesën me rastin e atij Viti Shenjt, mendimet e Papës Françesku shkojnë edhe tek të burgosurit, “të cilët vuajnë kufizimin e lirisë”. Jubileu, shkruan Papa, ka qenë gjithmonë mundësi për amnisti të madhe, e cila synon të përfshijë shumë njerëz, që megjithëse e meritojnë dënimin, ndonëse janë ndërgjegjësuar për padrejtësinë e kryer dhe dëshirojnë sinqerisht të riintegrohen në shoqëri, duke sjellë kontribut të ndershëm”. Mëshira e Atit, i cili dëshiron të jetë pranë atyre që kanë më shumë nevojë për faljen e tij, pastë mëshirë për gjithë këta njerëz.”
Më 6 nëntor 2016, një numër i madh të burgosurish nga pjesë të ndryshme të Italisë dhe vendeve të tjera ishin të pranishëm në Bazilikën e Shën Pjetrit për të jetuar Jubileun e tyre me Papën Françesku: “heqja e lirisë – theksoi Papa në predikimin e tij - është forma më e rëndë e dënimit që kryhet, sepse e prek personin në thelbin e tij më intim. Megjithatë, shpresa nuk mund të dështojë”.
Në vitin 2016, masa për amnisti dhe falje
Në vitin 2016, autoritetet kubane vendosën të jepnin amnisti për 787 të burgosur, përfshirë gra, të mitur dhe të sëmurë, në përgjigje të thirrjes së Papës nisur me rastin e Vitit të Shenjtë të Mëshirës. Të përjashtuar nga kjo dispozitë - siç kujton gazeta Granma – janë të dënuarit për “vrasje, korrupsion të të miturve, përdhunim dhe trafik droge”. Thirrja e Françeskut për të burgosurit, si pjesë e Jubileut të Mëshirës, u mirëprit edhe në Paraguaj. 22 të burgosur të “Shtëpisë së Bariut të Mirë” u falën. Po në vitin 2016, Presidenti i Mozambikut Filipe Nyusi - siç kujton edhe "Mondo e Missione", revista mujore e Institutit Papnor për Misionet e Huaja - shpalli faljen e një mijë të burgosurve të dënuar për krime të zakonshme.
Hapini dyert
Gjithashtu me rastin e Vitit të Shenjtë 2025, Papa Françesku, në bulën e hapjes, kërkon shprehimisht “forma të amnistisë ose heqjes së dënimeve që synojnë t’i ndihmojnë njerëzit të rifitojnë besimin në vetvete dhe në shoqëri; shtigje riintegrimit të komunitetit që korrespondojnë me një angazhim konkret për respektimin e ligjeve”. Për herë të parë, një Papë hap një portë shenjte brenda një burgu. Në predikimin e 26 dhjetorit të kaluar, në burgun Rebibbia, Papa shqiptoi këto fjalë: “Doja ta hapja në dy kapakë portën sot, këtu. Të parën e hapa në Shën Pjetër, e dyta është juaja! Është gjest i bukur t’i hapësh dyert në dy kapakë. Por më e rëndësishme është se çfarë do të thotë kjo: është hapja e zemrës. Zemra të hapura. Dhe kjo bën vëllazërinë”.
Mëshirë nga Kuba dhe Shtetet e Bashkuara
Hiri i Jubileut është të hapësh dyert, t'i hapësh zemrat shpresës. Në këtë Vit të Shenjtë, që sapo ka filluar, tashmë po regjistrohen aktet e mëshirës. Ministria e Jashtme e Kubës ka lëshuar një deklaratë ku njofton vendimin për lirimin e 553 personave “të dënuar për krime të ndryshme”. Masa është marrë si pjesë e ndërmjetësimit me Kishën Katolike. Lajmi erdhi vetëm disa orë pasi administrata amerikane njoftoi se po hiqte Kubën nga lista e shteteve sponsorizuese të terrorizmit. Një tjetër gjest i mëshirës vjen nga Shtetet e Bashkuara. Dhjetorin e kaluar, presidenti Joe Biden njoftoi se të burgosurve të dënuar me vdekje në burgun federal do t'u reduktohet dënimi nga ekzekutimi, në burgim të përjetshëm, pa mundësinë e lirimit me kusht. Papa Françesku, i cili pati një bisedë telefonike me presidentin amerikan, kishte nisur thirrjen, duke u lutur për të burgosurit e dënuar me vdekje në Shtetet e Bashkuara.
Dëshmitarët e Faljes
Ka raste kur shpresa arrin të gjejë rrugën e saj në zemrën e njeriut. Gjatë Lojërave Olimpike, për shembull, thirrja e Papëve për armëpushim olimpik kumboi, duke ndjekur shembullin e asaj që ndodhi në kohët e lashta. Traditë, që u bë thirrje e vazhdueshme gjatë historisë, për të heshtur armët në çdo rajon të planetit gjatë Lojërave Olimpike. Kërkesa e Papëve për heqjen e dënimeve gjatë Jubileut është gjithashtu një farë shprese për botën. Nuk janë të shumtë, por nuk mungojnë, siç dëshmon edhe historia, përgjigjet konkrete të politikanëve ndaj kërkesave për mëshirë. Në fund të fundit, duke u ndalur te termat kënaqje dhe falje, bëhet fjalë për t'i dhënë besim njeriut që ka ngecur në rrugën e jetës. Më pas i takon atij vetë të jetojë kohën e hirit dhe të jetë dëshmitar i fuqisë së faljes.