ҽ

Kardinali Pizzaballa në Gaza dhjetorin e kaluar Kardinali Pizzaballa në Gaza dhjetorin e kaluar

Gaza, Kard. Pizzaballa: njerëzit janë të lum e mosbesues, tani përparësi ndihmave!

Patriarku i Jeruzalemit të Latinëve, Kardinali Pizzaballa, komenton marrëveshjen e armëpushimit ndërmjet Izraelit dhe Hamasit: gjëja e rëndësishme në këto çaste, është të kthehet menjëherë faqja dhe të nisë puna për ndryshimin e situatës shumë të rëndë humanitare.

R.SH. / Vatikan

Të gjithë jemi të lum. Njerëzit në Gaza nuk besojnë akoma!”. Kardinali Pierbattista Pizzaballa, Patriark Latin i Jeruzalemit, u emocionua kur u lidh me telefon nga mediat e Vatikanit, për komentin e tij të parë mbi armëpushimin nënshkruar ndërmjet Izraelit dhe Hamasit. "Në këtë çast - nënvizon Patriarku - ky ndryshim ishte absolutisht i nevojshëm. Tani është e rëndësishme që të merremi menjëherë me urgjencat kryesore: me ushqimin, shëndetin dhe shkollën. E dimë, sigurisht, se rruga drejt paqes do të jetë më e gjatë".

Hirësia Juaj, çfarë vlerësimi mund të japim për marrëveshjen, pak orë pas shpalljes së saj? E çfarë shprese ka se pas armëpushimit do të arrihet edhe paqja?

Fillimisht duhet thënë se të gjithë jemi shumë të lumtur! Njerëzit janë të lumtur, sepse lufta e lëndoi rëndë jetën e të gjithëve. E dimë se situata është ende shumë e brishtë, mbeten disa tensione, por kjo ishte kthesë e domosdoshme, kthesë që na duhej. Shpresojmë se ky do të jetë hapi i parë.  se tani do të hapet një kontekst, që do të çojë në perspektiva të reja dhe se do ta zgjidhë konfliktin përmes negociatave. Paqja e vërtetë, për fat të keq, do të zgjasë më shumë: fundi i luftës, nuk është fundi i konfliktit.

Ju mendoni se armëpushimi ka marrë fund… Por pyetja që po e bëjnë tani të gjithë, e me frikë, është “a do të qëndrojë?”.

Armëpushimi duhet të ruhet, e duhet bërë gjithçka për të siguruar që ai të zbatohet. Ka edhe nga ata që rreshtohen kundër, e dimë mirë, por duhet të përpiqemi të mos u krijojmë hapësirë. Marrëveshja është e njëjtë, si muaj më parë, e besoj se u arrit tani, sepse ndoshta u poqën kushtet ndërkombëtare, njerëzore dhe politike. Gjëja më e rëndësishme tani, megjithatë, është të kthejmë faqen menjëherë dhe të fillojmë mbi të gjitha, të marrim në dorë situatën shumë serioze humanitare në Gaza.

Cilat janë, në këto çaste, problemet kryesore për popullsinë e Rripit të Gazës dhe për bashkësinë tonë të krishterë atje?

Nga pikëpamja humanitare, tani duhet të jetë më e lehtë të nisesh nga ajo që është e nevojshme për jetën e popullatës, e cila është qind për qind e varur nga ndihma e jashtme. Por do të jetë e nevojshme të vihet dorë edhe mbi dy emergjencat e tjera të mëdha për popullatën - përveç ushqimit - përkatësisht shkollat ​​dhe kujdesi shëndetësor. E kjo natyrisht do të vlejë edhe për bashkësinë tonë të vogël të krishterë. Jam i sigurt se me ndihmën e shumë organizatave ndërkombëtare, ne mund të krijojmë koordinimin e nevojshëm për të filluar zgjidhjen e problemit humanitar, që do të kërkojë shumë kohë.

A i keni dëgjuar njerëzit e famullisë së Familjes Shenjte? Si po i jetojnë këto orë dhe cili do të jetë roli i tyre në këtë fazë?

Po, ne jemi në lidhje të vazhdueshme. Njerëzit e bashkësisë sonë në Gaza sigurisht janë shumë të lum. Aq, sa ende nuk mund të besojnë! Por ideja se ka armëpushim dhe se po e kthejmë faqen, është çliruese në këtë kohë. Famullia e Familjes së Shenjtë do të jetë shumë e ngarkuar e, në këtë fazë, do të përpiqemi të bashkëpunojmë sa më mirë dhe me organizatat e tjera, për të arritur sa më shumë njerëz: është themelore t’i ndihmojmë dhe t’i mbështesim të gjithë, veçanërisht botën e fëmijërisë e të rinisë.

17 janar 2025, 12:19