Kuba shpall lirimin e 553 të burgosurve
R.SH. – Vatikan
Një lirim gradual, por mjaft i shtrirë, në kuadrin e një ndërmjetësimi me Kishën Katolike, që vijon prej vitesh. Këtë njoftoi dje Ministria e Jashtme kubane, e cila, në një deklaratë, bëri publik vendimin për lirimin e 553 vetëve, “të dënuar për krime të ndryshme”. Deklarata u bë pas asaj të administratës amerikane të presidentit Joe Biden, me të cilën Kuba hiqet nga lista e shteteve sponsorizuese të terrorizmit, ku përfshihen vende si Koreja e Veriut, Irani dhe Siria. Nota e diplomacisë kubane nuk i referohet ndonjë lidhjeje të drejtpërdrejtë me vendimin e marrë nga Shtëpia e Bardhë, ku presidenti i sapozgjedhur Donald Trump do të marrë së shpejti detyrën. Kujtojmë se pikërisht ai e përfshiu Kubën në atë listë, gjatë mandatit të tij të parë.
Shpresa e Papës Françesku
Havana sqaron se në ditët e para të janarit, presidenti Miguel Díaz-Canel i dërgoi një letër Papës Françesku, duke i komunikuar vendimin së do të lirojë “553 vetë të dënuar për krime të ndryshme". Qeveria kubane njofton se e ka "mbajtur komunikimin me Papën Françesku e me përfaqësuesit e tij dhe, si në të kaluarën, e ka informuar Shenjtërinë e Tij për proceset e rishikimit dhe të lirimit të personave të privuar nga liria", duke kujtuar se "më se 10.000 njerëz të dënuar me heqjen e lirisë” dolën nga burgu ndërmjet viteve 2023 dhe 2024, me “lloje të ndryshme përfitimesh, të parashikuara me ligj”. Në prag të Vitit të Shenjtë aktual, në Bulën për shpalljen e Jubileut 2025, Papa bëri thirrje për forma amnistie dhe për faljen e dënimeve. Në deklaratën e Kubës përmendet pikërisht fryma e këtij Jubileu me temë “Shtegtarë të Shpresës".
Hapat në histori
Në vitin 1998, kur Papa shenjt Gjon Pali II vizitoi ishullin, Fidel Kastro liroi rreth 200 vetë. Mijëra të burgosur u liruan në prag të vizitës së Benediktit XVI në Kubë, në vitin 2012 dhe rreth 3500 para mbërritjes së Papës Françesku, më 2015. Në mes, rivendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Uashingtonit dhe Havanës, në dhjetor 2014. Presidenti amerikan Barack Obama dhe homologu i tij kuban Raul Castro e patën falënderuar Papën Françesku për kontributin e tij në arritjen e marrëveshjes.