ҽ

 Washington Washington

Donald Trump dhe Amerika që do të vijë

Për Presidentin e ri të SHBA-së, do të jetë themelor angazhimi për tejkalimin e polarizimeve që karakterizuan jetën politike amerikane prej vitesh. Shtetet "e pabashkuara" të Amerikës do të ishin rrezik i madh për një botë tashmë të copëtuar dhe të ndarë. Editoriali i L'Osservatore Romano mbi sfidat e presidentit të ri të USA.

R.SH. / Vatikan

Jo, historia “nuk ka mbaruar” me rënien e Murit të Berlinit dhe shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik. Çka qe iluzion i disa politologëve dhe eksponentëve politikë në fund të shekullit të kaluar, doli se ishte jashtëzakonisht i gabuar. Në fund të fundit, kjo ishte kuptuar që në agimin e shekullit të 21-të me ngjarjen "e paimagjinueshme" të sulmit terrorist në Kullat Binjake, i cili solli zgjimin e zymtë për ata që përfytyronin një epokë stabiliteti global, nën flamurin e ekonomisë liberale.

Në këto më se 30 vjet që nga ajo ditë historike kur, me Murin, u shkatërrua gjithashtu një nga sistemet totalitare më liberticide të historisë, njerëzimi jetoi një numër gjithnjë në rritje konfliktesh, që kaluan nga lokale - në rajonale, derisa morën profilin shqetësues të asaj që, me saktësi profetike, Papa Françesku e quajti prej vitesh "Lufta III Botërore e luftuar pjesë-pjesë". Pra, historia është larg nga fundi.

Në këtë çerek shekulli, një shekull që - për të cituar sërish Papën Bergoglio – po shënon një “ndryshim epoke” shumë më tepër se “një epokë ndryshimi”, janë reformuar edhe forcat e fuqive të mëdha ekonomike, politike dhe ushtarake të planetit. Sot jetojmë në një botë shumëpolare, që e bën kërkimin e marrëveshjeve, veçanërisht në situata krize, më komplekse dhe më pak lineare. E megjithatë, kjo është bota në të cilën jetojmë dhe parimi i realitetit kërkon që të gjithë liderët (veçanërisht ata më të fuqishmit) të pranojnë se sfidat e mëdha të kohës sonë duhet të përballen me paradigma të reja, me atë krijimtari që refuzon qëndrimin "është bërë gjithmonë në këtë mënyrë.”

Në këtë kontekst historik të hënën e ardhshme Donald Trump do të betohet për herë të dytë se do të mbrojë Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe do t'i shërbejë popullit amerikan. Një ngjarje, siç është thënë dhe shkruar gjerësisht tashmë, e cila ka shumë tipare të paprecedent dhe shikohet me shpresë e shqetësim, sepse askush nuk mund të mos vërë re - edhe në një botë ku nuk ka më një superfuqi të vetme - se të bashkuara Shtetet mund të ndikojnë ende në dinamikat politike dhe ekonomike ndërkombëtare. Presidenti i zgjedhur Trump ka deklaruar vazhdimisht se do të punojë për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë. Ai deklaroi gjithashtu se nën presidencën e tij SHBA nuk do të përfshihen në asnjë konflikt të ri. Do ta shikojmë se çfarë qëndrimi do të ketë ndaj organizatave ndërkombëtare.

Emigracioni, mjedisi, zhvillimi ekonomik (gjithnjë e më shumë i nxitur nga teknologjia) janë ndër çështjet kyçe mbi të cilat banori i dyzet e shtatë i Shtëpisë së Bardhë do të vëzhgohet me vëmendje jo vetëm nga populli amerikan, por nga e gjithë bashkësia ndërkombëtare.

Historikisht, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë ç’kishin më të mirë, kur u hapën me botën (Kombet e Bashkuara janë në fund të fundit "shpikje amerikane") dhe së bashku me aleatët e tyre ndërtuan një sistem që - me të gjitha kufizimet e punës njerëzore - siguroi lirinë, zhvillimin ekonomik dhe përparimin e të drejtave të njeriut. Kjo ndodhi me presidentët republikanë e edhe me presidentët demokratë. Prandaj, një Amerikë e mbyllur në vetvete do të ishte kontradiktë.

Presidenti Trump është thirrur të punojë për të kapërcyer ndarjet dhe polarizimet që karakterizuan jetën politike amerikane prej vitesh dhe që shkaktuan sulmin kundër Kapitolit më 6 janar 202, një nga datat më të trishta në historinë kombëtare. Është detyrë e vështirë, sigurisht. Megjithatë e nevojshme për administratën e re. Sepse shtetet “e pabashkuara” të Amerikës do të ishin rrezik i madh për një botë tashmë të copëtuar.

Dhjetë vjet më parë, Papa Françesku - Papa i parë nga Amerika - iu drejtua Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me një fjalim, në të cilin theksoi vlerat themeluese të kombit amerikan. Një ndërhyrje, që mund të jetë gjithashtu e dobishme për Presidentin Donald Trump dhe Zëvendës Presidentin J. D. Vance.

Një fjalim, i duartrokitur shumë herë në të gjithë bordin e gjysmëciklit të Kapitol Hill-it, kujtoi katër figura të amerikanëve të mëdhenj, Yjet e Veriut që, edhe në këtë epokë të trazuar, mundën të ndihmonin në përcaktimin e kursit të atyre që thirren në pozitat e përgjegjësisë politike. “Një komb - përfundoi Papa Françesku - mund të konsiderohet i madh kur mbron lirinë, siç bëri Linkolni; kur promovon një kulturë që i lejon njerëzit të 'ëndërrojnë' të drejta të plota për të gjithë vëllezërit dhe motrat e tyre, siç u përpoq të bënte Martin Luther King; kur lufton për drejtësinë dhe kauzën e të shtypurve, si bëri Dorothy Day me punën e saj të palodhshme, fryt i një besimi që bëhet dialog dhe mbjell paqe në stilin soditës të Tomas Mertonit”. Këto janë vlerat që e bënë Amerikën të madhe. Dhe për këtë bota ka ende nevojë!

18 janar 2025, 17:23