Bienalja e Arteve Islame 2025: rast për dialogun ndërkulturor
R.SH. / VATIKAN
“Në botën e sotme, që shpesh e harron të Tejetlartin ose krijon një figurë të shtrembëruar për Të, besimtarët thirren për të dëshmuar mirësinë e Tij e për të treguar atësinë e Tij, përmes vëllazërisë së tyre”. Janë fjalët e Papës Françesku, më 6 mars 2021, gjatë takimit ndërfetar në Ur të Kaldeasve, në Irak. E përmbledhin mirë mësimin e tij në kontekstin e mjedisit me Islamin. Në Evangelii Gaudium Papa nënvizon sa "e admirueshme është të shohësh se si të rinj e të moshuar, gra dhe burra të Islamit i kushtojnë çdo ditë kohë lutjes dhe marrin pjesë besnikërisht në ritet e tyre fetare". Në kontekstin e kësaj thirrjeje për nxitjen e përbashkët të fesë dhe vëllazërisë së vërtetë mund të vërehet bashkëpunimi ndërmjet organizatorëve të Bienales II të Arteve Islame, në Arabinë Saudite, me Bibliotekën Apostolike të Vatikanit.
Porta e hyrjes në Mekë
Biblioteka e Papës është një nga tridhjetë institucionet ndërkombëtare të ftuara për të marrë pjesë në veprimtarinë e cila - me nismën e Fondacionit Bienal Diriyah - do të mbahet nga 25 janari - deri më 25 maj 2025, në Jeddah, qytet në brigjet e Detit Kuq, i cili ka përfaqësuar ndër shekuj qendrën për shkëmbimin kulturor, pranë Terminalit Perëndimor të Aeroportit Ndërkombëtar të Mbretit Abdulaziz, vend që shërben si port hyrje për miliona shtegtarë gjatë rrugës për në Mekë dhe në Medinë.
"And all that is in between”&Բ;– “E gjithçka është ndërmjet”
Tema e zgjedhur për këtë botim të dytë, i cili synon t’i kalojë gjashtëqind mijë vizitorët e edicionit të vitit 2023, është një varg që lexohet disa herë në Kuran, "e Zoti krijoi Qiejt e Tokën, e edhe gjithçka ndodhet ndërmjet tyre". Një frazë që ka të bëjë me krijimin dhe lejon të përdorësh mënyrat e ndryshme me të cilat shprehet feja në qytetërimin islam, përmes një udhëtimi tërheqës nga pikëpamja estetike dhe shpirtërore. Më shumë se njëzet artistë pjesëmarrës, ardhur nga Arabia Saudite, rajoni i Gjirit dhe vende të tjera - ndërmjet tyre edhe italiani Arcangelo Sassolino - për një takim artistik që – duke i bashkuar huazimet nga institucionet kryesore të artit islam në botë, nga Tunizi në Tashkent, nga Timbuktu në Yogyakarta - synon të eksplorojë përmasën eksperimentale të fesë, duke kombinuar veprat bashkëkohore - me objektet historike nga kulturat islame, ndërmjet të cilave, hartat, instrumentet astronomike dhe stolitë. Shtatë seksione të vendosura në pesë salla dhe hapësira të jashtme, mbi pesëqind objekte dhe vepra të ekspozuara, në më se njëqind mijë metra katror hapësirë ekspozite.
Një skenë për artistët sauditë
Objektet fetare dhe veprat e artit janë huazuar nga institucione të famshme, si Luvri i Parisit, Muzeu Victoria dhe Albert i Londrës dhe nga koleksione kushtuar posaçërisht arteve dhe kulturave islame, si Muzeu i Artit Islam në Doha dhe Instituti i Dorëshkrimeve Türkiye, në Stamboll. Bienalja bashkon institucionet kryesore të Arabisë Saudite, duke u krijuar vizitorëve mundësinë për të parë objekte dhe vepra arti nga viset shenjte të Mekës dhe Medinës. Prandaj ofron një skenë globale për artistët sauditë dhe, në të njëjtën kohë, sjell, në Arabinë Saudite, artistë nga e gjithë bota. Është nismë kulturore e cila - siç shpjegojnë organizatorët - "në këtë çast historik të evolucionit dhe rritjes së Arabisë Saudite" synon, njëkohësisht, të promovojë shkëmbimin dhe dialogun me bashkësitë ndërkombëtare dhe të zërë vendin e ri, si qendër të rëndësishme kulturore. Një strategji që, nga pikëpamja gjeopolitike, bën pjesë në kuadrin e programit “Saudi Vision 2030” promovuar nga mbretëria arabe për të reduktuar varësinë e saj nga nafta dhe për të diversifikuar ekonominë e saj.
Islami nuk është vetëm Arabia Saudite
"Ne nuk duam që njerëzit të mendojnë se arti dhe kultura islame, pa marrë parasysh sa të pabesueshme dhe befasuese janë - e disa nga objektet e ekspozuara janë jashtëzakonisht të bukura - i përkasin vetëm së kaluarës" – e shpjegoi për Pope Abdul Rahman Azzam, drejtor i muzeut vizionin artistik të Bienales së Artit Islamik 2025. “Duam të mendohet për të tashmen e, shpresojmë, edhe për të ardhmen. “Çështja kryesore për ne është të tregojmë larminë e kulturës islame.” “Kur flasim për Islamin,” shpjegon, “shpesh mendojmë vetëm për kulturën islame arabe. Me Bienalen, duam të tregojmë se ndërsa mesazhi islam përhapej në Indonezi apo në Afrikën Perëndimore, ai ra në kontakt me traditat dhe praktikat lokale, dhe këta individë tek të cilët arriti Islami, mijëra kilometra larg Mekës, e interpretuan, e kuptuan besimin dhe kulturën islame në mënyrën e tyre, e pasuruan dhe më pas e rikthyen në vendin ku e kishin marrë”. “Kështu që është e rëndësishme për ne të tregojmë se ekziston një ndërveprim interesant dhe delikat ndërmjet diversitetit dhe unitetit të shenjtë, që është në zemër të këtij diversiteti”.
Një ekspozitë ndryshe nga të tjerat
“Një aspekt tjetër interesant - shpjegon Dr. Abdul Rahman Azzam - është se natyra e njerëzve që vijnë në Jeddah për të parë këtë Bienale, e cila do të zgjasë katër muaj, është e ndryshme nga ajo e atyre që, në pjesë të tjera të botës, janë mësuar të shkojnë në muze dhe ekspozita. Kultura muzeale në Arabinë Saudite po rritet me shpejtësi, por nuk ka ende traditë të vërtetë të këtij lloji. Vijnë kryesisht njerëz, që janë rrugës për në Mekë, ose që, pas përfundimit të shtegtimit, gjatë kthimit në shtëpi, do të mund të admirojnë këtu disa objekte të pabesueshme, dëshmi të artit dhe të kulturës”. “Shumica dërrmuese e vizitorëve mund të lexojnë arabisht dhe, për këtë arsye, edhe pa një sfond akademik, do të jenë në gjendje t’i deshifrojnë disa nga dorëshkrimet e jashtëzakonshme të ekspozuara. E jo vetëm Kuranin, por edhe dorëshkrimet mbi astronominë, matematikën, filozofinë dhe teologjinë, që vijnë këtu, ndoshta, pas një mijë vjetëve”.
“Kur vijnë këta vizitorë, dhe ne i kemi vëzhguar në Bienalen e 2023 - shpjegon drejtori artistik- kemi një ndjenjë krenarie, kuptohet se këto objekte historike që ata shikojnë, janë pjesë e një tradite të gjallë, e cila vazhdon në të tashmen, e do të vazhdojë dhe në të ardhmen”. “Do të thosha se është një mënyrë për të sjellë në jetë Xhedën dhe Arabinë Saudite, duke u treguar shtegtarëve që kalojnë këtu, larminë e botës myslimane dhe sa e rëndësishme është sot”.
Kultura i bashkon njerëzit
“Një qëllim tjetër i kësaj Bienale 2025 – shpjegon Abdul Rahman Azzam – është të arrijë botën jomuslimane, si në Lindje ashtu edhe në Perëndim. Jemi të bindur se kur bëhet fjalë për artin, bukurinë dhe të vërtetën, shtylla themelore të artit dhe kulturës islame, nuk ka distanca kronologjike apo kufij”. “Arti dhe kultura kërkojnë të vërtetën dhe për këtë arsye tejkalojnë çdo kufizim gjeografik e edhe i kalojnë kufijtë: nga India, në botën islame, në Evropë. Ne besojmë se bashkëpunime si ky na ndihmojnë të kuptojmë se si kultura është me të vërtetë rrugë për t'i bashkuar njerëzit në mënyrë të harmonishme".
Kur arti dhe kultura krijojnë ura
Drejtori artistik i Bienales së Arteve Islame 2025 në përfundim nënvizon vlerën e pjesëmarrjes së Bibliotekës Apostolike të Vatikanit në ngjarjen e Jeddah. “Kur filluam të mendonim për këtë Bienale, dy vjet më parë, ishte prioritet të kishim Vatikanin me ne. Jemi të vetëdijshëm se ky institucion ka mbledhur, gjatë shekujve, një thesar jashtëzakonisht të pasur dorëshkrimesh dhe objektesh të tjera, që kanë të bëjnë me botën islame. T’i merrnim nga Biblioteka e Papës do të ishte përvojë e mrekullueshme për ne, sepse ndërvepron me një institucion që nuk mendon në terma vitesh apo dekadash, por shekujsh. Pra, institucion që ka një thellësi dhe dendësi të pashoqe”. "Unë e përfytyroj këtë" - reflekton Dr. Abdul Rahman Azzam – ardhja në Arabinë Saudite, afrimi në Mekë, është një akt simbolik jashtëzakonisht i fuqishëm dhe pozitiv. Në këto kohë të trazuara, është e jashtëzakonshme që institucione kaq të rëndësishme po bashkohen për të përbashkëtat e artit dhe të kulturës që na lidhin”. Një deklaratë, e cila konfirmon sesi çdo besim fetar mund të jetë burim frymëzimi për artin dhe, në të njëjtën kohë, si estetika e besimit dhe e përshpirtërisë janë në gjendje të bashkojnë njerëz nga vende dhe tradita të ndryshme.