Armëpushim për Gazën, pavarësisht nga pasiguria e “minutës së fundit”
R. SH. – Vatikan
U arrit mbrëmë në Doha të Katarit, armëpushimi ndërmjet Izraelit dhe Hamasit në Gazë, ndërmjet festimeve e gëzimit të gjithë popullsisë. Kryeministri i Katarit, Mohammed Al Thani, konfirmoi lirimin e 33 pengjeve izraelite në fazën e parë, pas një lufte që vijon nga 7 tetori 2023, kur militantët e Hamasit hynë në jug të Izraelit, vranë rreth 1200 vetë dhe rrëmbyen rreth 250 të tjerë.
Marrëveshja duhet të jetë baza për qëndrueshmëri
Lajmi u parapri nga njoftimi i presidentit të sapozgjedhur amerikan Donald Trump se ishte arritur një marrëveshje, duke i befasuar të gjithë. Ai ia atribuon vetvetes finalizimin e saj, duke e quajtur "epike". Por sot, Mbrojtja Civile e Gazës njoftoi se, pavarësisht nga marrëveshja, janë vrarë 73 palestinezë, ndër të cilët 20 fëmijë e 25 gra. Nga ana tjetër, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi po sot (16 janar) se një "krizë e minutës së fundit" me Hamasin po pengon miratimin izraelit të marrëveshjejes për të ndalur luftimet në Rripin e Gazës dhe për të liruar dhjetëra pengje. Zyra e Netanyahut pohoi se kabineti i tij nuk do të mblidhet për të miratuar marrëveshjen derisa Hamasi të tërhiqet nga qëndrimi i vet, duke e akuzuar organizatën për refuzimin e disa pjesëve të marrëveshjes, në përpjekjen për të arritur përfitime të tjera, pa shpjeguar për çfarë është fjala. Izzat al-Rishq, një funksionar i lartë i Hamasit, e përgënjeshtroi këtë lajm, duke theksuar se grupi militant e respekton “marrëveshjen e armëpushimit, që u njoftua nga ndërmjetësuesit".