蜜桃交友

K?rko

Papa Fran?esku n? audienc?n e aurimeve p?r Trupin Diplomatik Papa Fran?esku n? audienc?n e aurimeve p?r Trupin Diplomatik

Papa u propozon "diplomacin? e shpres?s" an?tar?ve t? Trupit Diplomatik

Papa Fran?esku mban fjalimin e tij mbi "Gjendjen e Bot?s" n? audienc?n tradicionale t? p?rvitshme me an?tar?t e Trupit Diplomatik t? akredituar n? Selin? e Shenjt?, p?r urimet e Vitit t? Ri, dhe b?n thirrje p?r nj? diplomaci shprese, bazuar n? t? v?rtet?n, faljen, lirin? dhe drejt?sin?. Denoncon luft?n, situat?n "e turpshme" n? Gaz?, terrorizmin n? Gjermani dhe SHBA, antisemitizmin, persekutimin fetar, t? drejt?n "e papranueshme" t? abortit, rreziqet e teknologjive t? reja dhe “cancel culture”

R.SH. – Vatikan

 “Diplomacia e shpresës”: kjo ishte fjala kyçe, që u propozoi sot Papa Françesku anëtarëve të Trupit Diplomatik të akredituar në Selinë e Shenjtë, të cilët, si çdo vit, i priti në audiencë në Vatikan, për urimet e Vitit të Ri 2025. Ati i Shenjtë uroi që kjo diplomaci, për të cilën duhet të impenjohen të pranishmit, por edhe qeveritë që përfaqësojnë, të bazohet në të vërtetën, faljen, lirinë dhe drejtësinë.

Fjalimin e Papës e lexoi imzot Filippo Ciampanelli, nënsekretar i Dikasterit vatikanas për Kishat Lindore, duke vënë në dukje, fillimisht, rëndësinë e vitit jubilar të sapofilluar për Kishën Katolike, e cila i fton besimtarët të rizbulojnë "çka është me të vërtetë themelore" në jetë. Pikërisht, duke pasur parasysh përpjekjet për ta përgatitur qytetin e Romës që të mirëpresë miliona shtegtarët e vitit 2025, Françesku shpreh mirënjohjen për autoritetet italiane dhe impenjimin e tyre, por menjëherë kalon në përshkrimin e një situate botërore nga më të vështirat e kohëve të fundit.

Ati i Shenjtë flet për një botë të përçarë nga konflikte të shumta, akte terrori, tensione shoqërore dhe nga krijimi i barrierave të reja, që i ndajnë njerëzit. I fton me forcë të gjithë të lënë mënjanë “logjikën e përplasjes” dhe të përqafojnë “logjikën e takimit, në mënyrë që e ardhmja të mos na gjejë të pashpresë, por të ecim përpara si shtegtarë të shpresës, si individë dhe bashkësi në lëvizje, me përkushtim, për të ndërtuar një të ardhme në paqe”.

Diplomacia e shpresës, në të vërtetën

Papa Françesku hyn në hollësitë e vizionit të tij për një "diplomaci shprese", që largon retë e dendura të luftës me "erërat e përtërira të paqes". Të gjithë njerëzit, vëren Bergoglio, kanë një etje të lindur për të vërtetën dhe dëshirojnë të dëgjojnë lajmin e gëzuar, që i përgjigjet nevojës së njerëzimit për Dikë, i cili na shpëton nga mjerimi. Ati i Shenjtë vë në dukje transformimin e madh kulturor, që po kalon bota në çdo anë të saj, sjellë edhe “nga përparimet e shpejta në teknologji, afrimi i së cilës me interesat tregtare është gjithnjë e më i dukshëm, duke krijuar një kulturë të rrënjosur në konsumizëm". Prandaj, shpjegon Papa, diplomacia e shpresës duhet të jetë "diplomaci e së vërtetës", e cila lidh realitetin, të vërtetën dhe njohuritë, në mënyrë që t'u sigurojë njerëzve një gjuhë të përbashkët të ankoruar në realitet.

Gjuha është veçanërisht e rëndësishme në marrëdhëniet diplomatike, thekson Françesku, duke kritikuar përpjekjet për t’ua ndryshuar kuptimin disa termave, ose për ta interpretuar sërish e në mënyrë të njënashme përmbajtjen e traktateve mbi të drejtat e njeriut. “Kjo përfaqëson një formë kolonizimi të vërtetë ideologjik, që synon, sipas axhendave të planifikuara me kujdes, të çrrënjosë traditat, historinë dhe lidhjet fetare të popujve" denoncon Ati i Shenjtë, duke i dënuar si "të papranueshme" përpjekjet për të shpallur, për shembull, të drejtën për abort si të drejtë themelore të njeriut.

Të shpërngulur nga Sudani
Të shpërngulur nga Sudani

Falja, për të kapërcyer urrejtjen

Më pas, Papa flet për atë, që e quajti "diplomaci e faljes", e cila mund të gjejë rrugët për t’i ndrequr marrëdhëniet e prishura nga urrejtja dhe dhuna, duke treguar kujdes për viktimat. I bën  thirrje bashkësisë ndërkombëtare t'u japë fund luftërave në Ukrainë dhe në Gazë, duke kujtuar numrin e madh të vdekjeve ndër civilët e pafajshëm. "Nga ana tjetër", shton Françesku, "duhet theksuar edhe se lufta ushqehet nga përhapja e vazhdueshme e armëve gjithnjë e më të sofistikuara dhe më shkatërrimtare", por nuk duhet harruar se "lufta është gjithmonë dështim".

Ati i Shenjtë kujton, në vijim, konfliktet e vazhdueshme në Mianmar, Sudan, Sahel, Bririn e Afrikës, Mozambik dhe në rajonet lindore të Republikës Demokratike të Kongos. Dënon shprehjet në rritje të antisemitizmit dhe persekutimet kundër bashkësive të krishtera. “Nuk mund të ketë paqe të vërtetë pa garantimin e lirisë fetare, e cila përfshin respektimin e ndërgjegjes së individëve dhe mundësinë e manifestimit publik të fesë dhe të pjesëmarrjes në një bashkësi”, pohon Papa. Ati i Shenjtë nuk mungon të përmendë të ardhmen e Sirisë, duke u kërkuar të gjithë sirianëve, sidomos të krishterëve, të punojnë për të mirën e përbashkët të krejt kombit.

"Jo" trafikimit të qenieve njerëzore
"Jo" trafikimit të qenieve njerëzore

Liria dhe drejtësia si themel i paqes

Më pas, Papa Françesku bën thirrje për "diplomacinë e lirisë", e cila e gjen shprehjen e vet në impenjimin për t'i dhënë fund plagës së trafikimit të qenieve njerëzore, varësisë ndaj drogës dhe formave të tjera të skllavërisë moderne. U kërkon të gjitha vendeve të kujdesen për viktimat e trafikimit dhe për migrantët, që nisen në kërkim të një jete më të mirë, ndërsa nxit përpjekjet për të zgjidhur problemet, që janë shkaqet rrënjësore të zhvendosjes së tyre. Diplomacia e shpresës, shton më pas, është edhe "diplomaci drejtësie", sepse nuk mund të ketë paqe pa drejtësi. E këtu, vë edhe një herë në dukje thirrjen që gjatë Jubileut 2025, siç është në traditën jubilare, të falen borxhet, qofshin ato shoqërore apo fiskale. E sërish: “Përsëris thirrjen time që dënimi me vdekje të eliminohet në çdo komb, pasi ai nuk gjen asnjë justifikim sot ndërmjet mjeteve në gjendje të rivendosin drejtësinë”.

Ta mbrojmë botën
Ta mbrojmë botën

Shlyerja e borxhit ekologjik, që i kemi shtëpisë së përbashkët

Në përfundim, Papa Françesku kujton borxhin e njerëzimit ndaj Tokës, shtëpisë sonë të përbashkët. Të gjitha vendet e botës, këshillon Ati i Shenjtë, duhet të bëjnë përpjekje për të bashkëndarë fonde e burime financiare, që duhet të përdoren për të zbutur pasojat e ndryshimeve klimatike. “Duke pasur parasysh këtë borxh ekologjik”, vëren Papa, që gjithnjë ka denoncuar se ai është krijuar kryesisht nga vendet e pasura, por e vuajnë më shumë vendet e varfra, “është e rëndësishme të gjenden mënyra të frytshme për ta shndërruar borxhin e jashtëm të vendeve të varfra në politika dhe programe efektive, krijuese dhe të përgjegjshme për të promovuar një zhvillim të gjithanshëm njerëzor”.

Së fundi, Françesku shpreh ngushëllimet dhe lutjet e tij për viktimat e "tërmetit, që goditi Tibetin, dy ditë më parë". E, në fillimin e këtij Viti Jubilar, u uron diplomatëve të akredituar në Selinë e Shenjtë, që shpresa të lulëzojë në zemrat e të gjithë popujve, në mënyrë që të realizohen dëshirat e tyre për paqe.

09 janar 2025, 11:52