Fran?esku: t? pendohen zemrat e atyre q? prodhojn? arm? vrastare
R.SH. - Vatikan
Ftesës, tashmë të vazhdueshme ("Le të vazhdojmë të lutemi për paqe") dhe denoncimit që është bërë gjithashtu një sintagmë fikse e çdo thirrjeje ("Lufta është gjithmonë humbje"), Papa sot, duke iu drejtuar qindra besimtarëve të mbledhur në Sallën Pali VI për audiencën e përgjithshme, i shtoi edhe një kërkesë. Një lutje për 'mjeshtrit' e tregut të lulëzuar të armëve që, këto vite luftërash të reja, e kanë trefishuar xhiron, duke arritur edhe në 2500 miliardë dollarë. Gati një mijë miliardë (959) janë përdorur në dy vjet nga institucionet financiare globale për të mbështetur prodhimin dhe tregtimin e armëve, siç u denoncua një vit më parë nga raporti i Aleancës Globale për Bankimin e Vlerave (Gabv).
Ju kërkojmë të luteni për konvertimin e zemrave të prodhuesve të armëve, sepse me prodhimin e tyre ata ndihmojnë vetëm për të vrarë.
“Lufta është gjithnjë humbje”
Një thirrje-denoncim, kjo e Françeskut që, në këto vite e tregoi gjithnjë me gisht prodhimin e armëve. “Uria në botë do të merrte fund, nëse armët nuk do të prodhoheshin vetëm për një vit” - përsërit shpesh Papa - duke përmendur bisedat që ka pasur me ekspertë të kësaj teme. E shumë e shumë herë, veçanërisht këtë vit të fundit, duke u nisur nga mesazhi për COP29 në Dubai - tek Bula për Hapjen e Jubileut “Shpresa nuk të zhgënjen” Papa ka propozuar për të krijuar, përmes një përqindjeje fikse të parave të përdorura për ushtrinë, një Fond Global, për ta zhdukur përfundimisht urinë dhe për të nxitur zhvillimin e qëndrueshëm të të gjithë planetit. Dëshirë, kjo, që Ipeshkvi i Romës shpreson se mund të realizohet këtë Vit Shenjt, së bashku me tjetrin për një armëpushim në të gjitha frontet e luftës. Shpresën për paqen e përsëriti edhe sot, në audiencën e përgjithshme, kur renditi edhe një herë territoret e copëtuara nga dhuna.
Të mos e harrojmë Ukrainën e martirizuar, Mianmarin, Palestinën, Izraelin dhe shumë vende që janë në luftë; të lutemi për paqen. Lufta është gjithmonë humbje
Mendimi për viktimat e një shkarjeje në Myanmar
Papa bëri thirrje edhe për tragjedinë që goditi Mianmarin, duke shtuar situatat e dhunës dhe tensionit. Një rrëshqitje dheu natën e 12 janarit përfshiu disa shtëpi në kontenë Hpakant, shteti Kachin. Më saktësisht, një pellg balte në një kantier minierash nefriti u shemb, duke shkaktuar edhe rrëshqitje të dheut. Sipas raporteve fillestare, dhjetëra shtëpi u varrosën dhe shumë banorë u zhdukën. “Jam pranë popullatës së prekur nga kjo fatkeqësi dhe lutem për ata që humbën jetën si dhe për familjet e tyre”, theksoi Papa Françesku.
Mos u mungoftë mbështetja dhe solidariteti ndërkombëtar vëllezërve dhe motrave tona që janë në gjyq.
Ngjarja e paplanifikuar e dy fëmijëve dhe shfaqja e Cirkut Rony Roller
Fjalët e përzemërta të Papës për krizat e botës u gërshetuan, në çastin e pas-katekizmit, me çaste zbavitëse, si ata të dy fëmijëve, që vrapuan drejt skenës, të ndjekur nga nënat e tyre. Françesku, duke buzëqeshur, u dha disa ëmbëlsira dhe i qetësoi nënat. Pastaj brohoriti: “Janë të zotët, eh!”. Pak më parë, siç ndodhi të mërkurën e kaluar, një cirk ishte sërish i pranishëm në Sallën Pali VI. Këtë herë Rony Roller, familje e lashtë cirku italian, e cila ia ka treguar edhe një herë tjetër artin e vet Papës Françesku. Në vitin 2023 Rony Roller pati dhënë një shfaqje në Romë për dy mijë persona: refugjatë, të pastrehë, të burgosur, familje me fëmijë nga Ukraina, Siria, Kongoja, Sudani, familje nga ndërtesat e përvetësuara në Romë, njerëz nga rrugët e Torvaianica-s dhe nga konvikte të ndryshme, të shoqëruar nga vullnetarë. Sot, pasi i ndoqi me ëndje xhonglerët, akrobatët e madje, edhe një qen të vogël, “artist” në shfaqje, Françesku përsëriti falënderimet për Cirkun, për këtë punë që synon t'u kthejë buzëqeshjen njerëzve.
Puna e cirkut është vepër njerëzore, vepër arti, vepër që kërkon shumë mundim.