蜜桃交友

K?rko

Dasma n? Kan? - Ungjilli i s? Diel?s Dasma n? Kan? - Ungjilli i s? Diel?s

Fjala e Zotit e diel?s s? 2-t? gjat? vitit ‘C’

Fjala e Zotit, k?saj s? diele na paraqet misterin e D?ftimit t? Hyjit, pra, shfaqjen e Zotit Jezu Krisht n? realitetin konkret t? jet?s s? njer?zve, si? rr?fen dasma e Kan?s s? Galiles?. Pra, Ungjilli i Gjonit na njeh me fillimin publik t? misionit shp?timprur?s t? Jezu Krishtit.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 2-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë 'C', sipas kalendarit liturgjik të Kishës.

 Fjala e Zotit e dielës së 2-të gjatë vitit ‘C’

Fjala e Zotit e dielës së 2-të gjatë vitit ‘C’

Pas kohës dhe festës së Krishtlindjes, me këtë të diele, me kalendarin kishtar kalojmë në kohën liturgjike të zakonshme, e cila quhet edhe ‘koha gjatë vitit kishtar’, që do të thotë se përfshinë ato të diela që janë jashtë kohëve të forta shpirtërore liturgjike, siç janë koha e Ardhjes, koha e Krishtlindjes, koha e Kreshmëve, koha e Pashkëve dhe koha e Rrëshajëve.

Fjala e Zotit e kësaj së Diele të Dytë, gjatë vitit kishtar, vazhdon me paraqitjen, zhvillimin dhe shpjegimin e misterin e Dëftimit të Hyjit, pra, me misterin e shfaqjes së Zotit tonë Jezu Krisht në realitetin konkret të jetës së njerëzve, e siç rrëfen kësaj radhe pjesa e Ungjillit të kësaj së diele, në dasmën e Kanës së Galilesë. 

Ungjilli i kësaj së diele nga Gjoni (Gjn2,1-12), na njeh me fillimin publik të misionit shpëtimprurës të Jezu Krishtit dhe Atë na e paraqet të pranishëm e pjesëmarrës në një festë të bukur dashurie martesore, në dasmën e dy të rinjve që martoheshin në Kanë të Galilesë, bashkë me Nënën e tij, Virgjërën Mari dhe nxënësit. Festa e martesës kremtuar në Kanën e Galilesë, është simbol i bashkimit që Zoti gjithmonë ka dashur ta realizojë me njerëzimin.

Dasma e Kanës, më shumë se mrekulli, është Besëlidhje dashurie

Përtej rrëfimit të një mrekullie, në këtë dasmë fjalët dhe shprehjet zbulojnë misterin e plotë të Jezus Krishtit, lidhjen e Tij të dashurisë me Kishën e me dishepujt, familjen e Tij, si dhe misionin besuar të krishterëve, prandaj, duhet dëgjojnë e ta vënë në jetë Fjalën e Zotit. Mrekullitë, shenjat dhe Kana, janë një lloj “porte”, diçka më tepër sesa rrëfimi i një mrekullie, gjë që e shikojmë që nga hyrja, me përshkrimin e Jezusit, pjesëmarrës në dasmë së bashku me dishepujt, me familjen e tij.

Në Kanë lidhet një Besë e Re dashurie

Duke nisur shërbimin publik, Jezusi shfaqet si dhëndër i popullit të Zotit dhe e dëfton thellësinë e marrëdhënieve, që e lidhin me Të: një besë e re dashurie. Çka kemi në themelin e fesë sonë? Një akt dashurie e mëshire, me të cilin Jezusi na lidhi me veten. E jeta e krishterë është përgjigjja që i jepet kësaj dashurie, është si historia e dy të dashuruarve. Zoti dhe njeriu takohen, kërkohen, gjinden, kremtojnë e dashurohen: ashtu si i dashuri me të dashurën në librin biblik Kënga e Këngëve. E pastaj, aty ku lidhet një besë dashurie, nuk mund të mungojë as gëzimi, ashtu si në një dasmë nuk mund të mungojë vera. E çdo martesë të krishterë, Kisha e konsideron “verë të mirë” dhe dëshmi të bukur dashurie për bashkëshortët e për mbarë komunitetin.

Ta dëgjojmë e vëmë në jetë Fjalën e Zotit

Trashëgimia, që Jezusi na e la ne të gjithëve, ruhet me kujdes dhe e gjen shprehjen në fjalët e fundit të tregimit të Ungjillit të kësaj së diele, që Maria ua drejton shërbëtorëve të Dasmës së Kanës: "çdo gjë që t’ju thotë, bëjeni!”. Ky është misioni i Kishës, misioni i çdo besimtari, të cilin Maria vijon ta përsërisë edhe sot.  T’i shërbesh Zotit do të thotë ta dëgjosh e ta vësh në jetë Fjalën e Tij Hyjnore. Është këshilla e thjeshtë, por themelore, e Nënës së Jezusit, program i jetës së krishterë.

Në Kanë lind feja e Kishës

Në rrëfimin ungjillor për dasmën e Kanës, kemi fillimin e shenjave të kryera nga Jezusi; Ai e shfaqi lavdinë e Tij dhe dishepujt besuan në Të. Ja pra, kështu përmbushet sekreti i Kanës,  fillesë e shenjave, që do të bënte Jezusi, i cili në këtë dasmë i lidh pas vetes dishepujt dhe i bën familje të Tij. Prej këndej mund të themi se Dasma e Kanës është  shumë më tepër se rrëfimi i një mrekullie. Si në një peshtaf, Jezusi e ruan sekretin e Vetjes së Tij dhe qëllimin e ardhjes së Tij; Dhëndri i shumëpritur jep shenjën e fillimit të dasmës, që do të përfundojë me Misterin e Pashkëve. Në këtë dasmë, Jezusi i lidh pas vetes dishepujt e Tij me një Besëlidhje të re e përfundimtare. Në Kanë, dishepujt e Jezusit bëhen familja e Tij dhe pikërisht në Kanë, lind feja e Kishës. Në këtë dasmë, ku jemi të ftuar të gjithë, vera e re nuk do të mungojë kurrë! 

                                            Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Is 62, 1-5

Lexim prej Librit të Isaisë profet
Për shkak të Sionit unë nuk do të heshtoj, për shkak të Jerusalemit s’do t’i jap vetes pushim – deri që drejtësia e tij të dalë porsi drita, e shpëtimi i tij të mos ndizet si llamba! Të gjithë popujt do ta shohin drejtësinë tënde, të gjithë mbretërit lavdinë tënde; do të quhesh me një emër të ri, që do ta caktojë goja e Zotit. Do të jesh kurorë nderi në dorën e Zotit, kezë mbretërie në shuplakë të Hyjit tënd. Nuk do të quhesh më “E lëna”, toka jote më s’do të quhet “E shkretuar”, por do të quhesh “Kënaqësia ime” e toka jote “E martuara”, sepse ti i pëlqeve Zotit e toka jote do të jetë e martuar. E njëmend, sikurse i riu që martohet me të fejuarën, kështu me ty do të martohet ndërtuesi yt sikurse dhëndri që i gëzohet nuses, kështu do të gëzohet ty Hyji yt. Fjala e Zotit.

Psalmi 96
Ti, o Zot, i bëre të gjitha gjërat të reja

----------
Këndoni Zotit një këngë të re!
Mbarë toka le t’i këndojë Zotit!
Këndoni Zotit, bekojeni emrin e tij.
----------
Shpalleni si një ditë për ditë
shpëtimin e tij,
kumtojeni ndër paganë lavdinë e tij,
ndër mbarë popujt mrekullitë e tija!
----------
Jepni Zotit, familjet e popujve,
jepni Zotit nder e fuqi,
jepjani Zotit nderin e Emrit të tij!
----------
Dridhu, o rruzull, para fytyrës së tij!
Shpallni ndër paganë: “Mbret është Zoti!”
Ai e mban botën që të mos shkatërrohet;
i gjykon popujt me drejtësi.
----------

Leximi i dytë 1 Kor 12, 4-11

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve
Dhuratat janë të ndryshme, por Shpirti Shenjt është i njëjtë – edhe shërbesat në përhapje të Ungjillit janë të ndryshme, por Zoti është i njëjtë – po edhe mënyrat e veprimit janë të ndryshme, por Hyji është i njëjtë – Ai bën gjithçka në të gjithë. Secili merr dhuratë të veçantë të zbulesës së Shpirtit Shenjt për të mirën e përbashkët.
Dhe njëmend, Shpirti Shenjt i jep njërit fjalën e urtisë, kurse i njëjti Shpirt Shenjt një tjetri i jep fjalën e dijes; po i njëjti Shpirt Shenjt një tjetri i jep fenë, një tjetri prapë, i njëjti Shpirt Shenjt i jep dhuratën e shërimeve; një tjetri pushtetin për të bërë mrekulli, një tjetri profecinë, një tjetri aftësinë të dallojë shpirtrat, një tjetri zotësinë e gjuhëve të ndryshme, një tjetri shtjellimin e gjuhëve. E të gjitha këto i bën një i vetmi Shpirt Shenjt duke i ndarë veçanërisht secilit ashtu si do Ai. Fjala e Zotit.

Ungjilli Gjn 2, 1-12

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Të tretën ditë po bëhej një dasmë në Kanë të Galilesë. Aty ishte edhe nëna e Jezusit. Në dasmë e grishën edhe Jezusin e nxënësit e tij. Kur u mbaroi vera, nëna e Jezusit i tha: “Nuk kanë më verë!” Jezusi i tha: “Moj burrneshë, a është punë për ne? Ende nuk erdhi koha ime!” Nëna e tij u tha shërbyesve: “Bëni gjithçka t’ju thotë!”
Ishin aty të vëna gjashtë enë guri që shërbenin për larje të rëndomta të judenjve. Secila zinte dy apo tri masë. Jezusi u tha shërbyesve: “Mbushni enët me ujë!” Ata i mbushën deri në grykë. “Merrni tani – u tha atëherë – e çoni kryetarit të tryezës.” Ata ia çuan. Kur kryetari i tryezës e kërkoi ujin e kthyer në verë – e nuk e dinte nga vinte – shërbyesit, që e kishin mbushur ujin, e dinin – kryetari i tryezës e thirri dhëndrin dhe i tha: “Çdo njeri më parë vë në tryezë verën e mirë e, kur t’i nxehë pija, sjell verë më të keqe. Ti e paske ruajtur verën e mirë deri tani!”
Kjo qe mrekullia e parë e Jezusit, të cilën e bëri në Kanë të Galilesë; e dëftoi lavdinë e vet dhe nxënësit e tij besuan në të. Pastaj zbriti në Kafarnaum me nënën e vet, me vëllezërit e vet, e me nxënësit e vet. Aty nuk qëndruan shumë ditë. Fjala e Zotit.

Homelia nga dom Dritan Ndoci:

Homelia nga dom Dritan Ndoci

E DIELA II GJATË VITIT: E DËFTOI LAVDINË E VET DHE NXËNËSIT E TIJ BESUAN NË TË!

(Is 62, 1-5; Ps 96 (95); 1 Kor 12, 4-11; Gjn 2, 1-12)

Duket sikur e tepron ungjilltari sot kur, në përfundim të tregimit të kësaj mrekullie, shkruan: «Kjo qe mrekullia e parë e Jezusit, të cilën e bëri në Kanë të Galilesë; e dëftoi lavdinë e vet dhe nxënësit e tij besuan në të.» Sidomos bien në sy shprehje si «e dëftoi lavdinë e vet», thuajse kishte ndodhur ndonjë mrekulli tepër e bujshme dhe shprehja «nxënësit e tij besuan në të», duke na çuditur të gjithë se si ishte e mundur që mjafoi aq, që nxënësit të besonin se Jezusi ishte Mesia i premtuar. Pastaj pse ungjilltari ngulë këmbë të theksojë se «Kjo qe mrekullia e parë e Jezusit.»? Por është pikërisht kjo “tepri” përshkrimi dhe kjo këmbëngulje, ajo që shpjegon rëndësinë e mrekullisë së shndërrimit të ujit në verë.

Vera është mbajtur gjithnjë si pija e mbretërve. Vera ishte gjithnjë pija që simbolizonte mirëqenien dhe harenë. «Vera, që e gëzon zemrën e njeriut», thotë psalmi 104, 5, duke mos u larguar nga kjo bindje e gjithmonshme e njerëzimit. Gjërat pastaj merrnin edhe ngjyrime teologjike kur ishte vetë Hyji ai që, ndërkohë që i premtonte Izraelit lumturinë e kohëve mesianike, përdorte pikërisht verën si pijen që simbolizonte harenë që do të përmbushej me ardhjen e Mesisë: «Zoti Hyji i Ushtrive do të bëjë përmbi këtë mal një gosti për të gjithë popujt: me mish të majmë e me verë të moçme, me mish të majmë plot palcë, me verë të kulluar, të qartë si loti.» Prandaj Shën Gjoni ungjilltar, kur kujton këtë mrekulli të parë të Jezusit, nuk mund të mos e lidhë atë mrekulli me këto tekste të njohura për të gjithë hebrenjtë, të cilët plot ankth e zell prisnin Mesinë. Duke thënë «e dëftoi lavdinë e vet», nënkupton dëftimin e mesianizmit të Jezusit dhe, duke thënë «nxënësit e tij besuan në të», nënkupton se nxënësit menjëherë e kuptuan këtë mesianizëm dhe iu hapën atij.

Por, për ta kuptuar më mirë domethënien e kësaj mrekullie të Jezusit, na vjen në ndihmë sot leximi i parë, i cili përshkruan gjithashtu një klimë martesore. Është Hyji Ai që i premton Izraelit se do ta përtërinte sërish popullin e Tij: «Nuk do të quhesh më “E lëna”, toka jote më s’do të quhet “E shkretuar”, por do të quhesh “Kënaqësia ime” e toka jote “E martuara.”». Hyji shumë shpesh ka përdorur shprehje të tilla që kanë të bëjnë me martesën, për të treguar dashurinë e tij për Izraelin. Nuk është rasti këtu ta trajtojmë si tematikë, por, Hyji, duke e përdorur martesën për të shpjeguar dashurinë e Tij për këtë popull, e ndihmonte ndërkohë këtë popull që të kuptonte edhe martesën në vetvete, duke i ofruar atij shembullin më të fortë që duhej të kishte parasysh çdo martesë në Izrael, shembull i cili, pra, ishte pikërisht dashuria e Hyjit ndaj tyre.

Por është mbi të gjitha rreshti i fundit i leximit të parë ai që na hap një dritare vërtet të rëndësishme në kuptimin e Ungjillit të sotëm. Aty Hyji paraqitet si dhëndri i popullit të zgjedhur, kurse Izraeli si nujsa e Tij: «Sikurse i riu që martohet me të fejuarën, kështu me ty do të martohet ndërtuesi yt, sikurse dhëndri që i gëzohet nuses, kështu do të të gëzohet ty Hyji yt.». Kështu tani mund ta kuptojmë edhe rëndësinë që ka për ungjilltarin të theksojë se «kjo ishte mrekullia e parë e Jezusit», si për të na vënë përballë një premtimi që po shkon drejt përmbushjes, që do të thotë se Hyji, në Jezusin, vërtet u bë dhëndri i gjinisë njerëzore. Shën Gjon Pagëzuesi vetë e quan Jezusin Dhëndri. «Unë nuk jam Mesia ­– thoshte Gjoni – por jam i Dërguari para tij. Kush ka nusen, është dhëndër. Dashamiri i dhëndrit, i cili i rri pranë dhe e dëgjon, kënaqet kur e dëgjon zërin e dhëndrit. I tillë është, pra, gëzimi i im: arriti në kulm.»

 «Gëzimi im arrini në kulm.», thoshte profeti i fundit i Izraelit, i fundmi ndër ata që prisnin ardhjen e Mesisë. Tani që Mesia erdhi, gëzimi arriti «në kulm». Mrekullia e shndërrimit të ujit në verë në dasmën e Kanës, pra, ishte mrekulli që po ndodhte brenda një mrekullie tjetër edhe më të madhe, që ishte përmbushja e një profecie që premtonte se Hyji do të vinte si dhëndër për popullin e tij dhe ashtu po bënte tani në Jezusin.

Kështu e kuptojmë se, për ungjilltarin, të përshkruante këtë mrekulli të Jezusit, donte të thoshte të matej mirë sepse po për­shkruante një mister që po i përmbushej para syve, përballë të cilit ai vetë kishte mbetur i mahnitur kur e kishte parë se po ndodhte me të vërtetë. Prandaj detajet këtu marrin një vlerë tepër të rë­ndësishme.

Në atë dasmë rrethanat kishin bërë që Jezusi të shkonte falë ndonjë afërsie gjaku që Maria duhet të kishte me atë familje, përderisa ungjilltari e thekson menjëherë në fillim se «aty ishte edhe nëna e Jezusit». Por, e parë me sytë e fesë, edhe kjo rrethanë e Provanisë Hyjnore nuk mund të mos na bëjë të mendojmë se ishte pikërisht nga Mara që Biri i Hyjit zgjodhi të merrte trupin njerëzor e të vinte në botë. Kështu, më vonë, të krishterët do të kuptonin se roli i Marisë në shëlbimin e njerëzimit, nuk duhej të anashkalohej asnjëherë, sepse përndryshe do të rrezikohej të mos kuptohej mirë edhe vetë misteri i Birit të amshuar.

Maria nuk ishte sa për numër në atë dasmë, sepse e kuptoi e para se një vështirësi e rëndë ishte në horizont për të zotin e shtëpisë. «Nuk kanë më verë.», i thotë ajo Jezusit, duke u bërë kështu ndër­mjetësja e parë e një nevoje reale të të pranishëmve në dasmë, të cilëve duhej t’u kthehej gëzimi që po rrezikonin ta humbisnin. Kështu, Maria, gjithnjë do ta vazhdonte ndër shekuj këtë mision ndërmjetësimi para Birit të vet, duke ia paraqitur Atij nevojat e Kishës dhe të mbarë njerëzimit dhe, falë pastërtisë e thjeshtësisë së saj të padiskutueshme, vazhdimisht nxjerr hire e bekime që çojnë kah shëlbimi i amshuar, shëlbim cili shpesh rrezikon seriozisht të humbasë sikur të mos ishte ndërmjetësia e saj prej Nëne.

«Moj burrneshë, a është punë për ne? Ende nuk erdhi koha ime!», i përgjigjet Jezusi me këto fjalë që kanë futur jo pak në mendime biblistë e teologë, për shkak të ftohtësisë që aty Jezusi duket se shpreh përballë asaj situate vërtet të rënduar. Por biblistë e teologë janë bashkë së paku në një pikë: se Jezusi ka dashur të kujtojë se shëlbimin e vërtetë, martesën e vërtetë me njerëzimit, Ai do ta realizonte në «kohën» e Vdekjes dhe Ngjalljes së Tij e jo në atë mre­kulli shndërrimi të ujit në verë. Vetëm atje Jezusi do të dëshmohej përfundimisht si «Dhëndri».

Megjithatë, Jezusi pranon ta bëjë atë mrekullie e kështu të gjithë do të kuptonim se, të gjitha mrekullitë e tjera të Jezusit, do të shërbenin për të kuptuar atë mister të pambarim të Vdekjes e të Ngjalljes së Tij dhe, më pas, në kohën e Kishës, të gjitha mrekullitë që do të ndodhnin, do të ishin shenjë e atij Misteri të pashtershëm pashkor.

«Bëni gjithçka t’ju thotë!» u thotë shërbëtorëve Maria, ajo që, pak para çastit kur Jezusi do të ngjizej në kraharorin e saj, kishte thënë: «Unë jam shërbëtorja e Zotit.». Sa i lartë është ky autoritet që Maria ka në Kishën e Hyjit! Ajo gjithnjë i thotë Kishës që të bëjë përballë Jezusit pikërisht ashtu si ka bërë edhe ajo vetë gjithnjë. Sa shumë kanë për të mësuar nga Maria të gjithë ata që mendojnë se kanë ndonjë autoritet përballë të krishterëve të tjerë! Autoriteti i tyre do të pranohet nga turmat vetëm nëse ata më parë do ta kenë dëshmuar se janë ata vetë shërbëtorë të Hyjit.

Jezusi i bindet me plot butësi nënës së vet dhe e shndërron në verë ujin që gjendej në «gjashtë enë guri, që shërbenin për larje të rëndomta të judenjve». Nuk ishin enë paklitërshe, por gati-gati çister­na të vërteta, sepse sasia e ujit që nevojitej për mbarëvajtjen e një dasme ishte vërtet e madhe. Kjo tregon se hareja që Jezusi po i sillte botës nuk është “pak litërshe”, por e pamasë.

E, sikurse vera që Jezusi e “nxori” nga uji, ishte më e mirë se vera e parë që kishte dhënë i zoti i shtëpisë, ashtu edhe hareja që tani Jezusi po i sillte Izraelit e, më anë të tij, mbarë njerëzimit, ishte pafundësisht më e madhe.

Tani e shohim, pra, përse Shën Gjoni ungjilltar e “teproi” me dashje përfundimin e kësaj mrekullie kur përshkroi madhështinë e saj dhe reagimin e nxënësve përballë saj: «E dëftoi lavdinë e vet dhe nxënësit e tij besuan në të».

 

Dom Dritan Ndoci

18 janar 2025, 09:39