Gjergj Kastrioti Sk?nderbeu nё p?rvjetorin e vdekjes
R.SH. – Vatikan
Si çdo vit, më datën 17 janar, populli shqiptar, kudo, e përkujton heroin kombëtar, Gjergj Kastriotin, Skënderbeun (6 maj 1405 - 17 janar 1468), në ditën e kalimit të tij në amshim. Atleti i Krishtit, siç e quajti bota e krishterë, Gjergj Kastrioti ndërroi jetë në Lezhë, më 17 janar 1468, në moshën 63-vjeçare. Eshtë figura më e shquar në historinë e shqiptarëve, heroi kombëtar i popullit shqiptar, arbënori e i krishteri i flaktë, siç e quajtën Papët e Romës.
Gjergj Kastrioti ka hyrë në histori si një nga gjeneralët më të mëdhenj të kohës, si një strateg i shquar i luftimeve mbrojtëse, sepse me një ushtri të vogël mundi të përballonte dhe të shkatërronte taborët e ushtrisë osmane, ndër më të organizuarat e asaj kohe. Kështu, për 25 vjet me radhë, Gjergj Kastrioti e ndaloi Perandorinë Osmane të depërtonte në zemër të Evropës, duke ruajtur e duke mbrojtur shqiptarët dhe vendlindjen nga sundimi i huaj.
Për këtë, ai fitoi mirënjohjen e Shteteve Evropiane dhe të Papës së Romës, që kur qe gjallë dhe shumë më tepër pas vdekjes. Pastaj, duhet përmendur se, me Kuvendin e Lezhës, Gjergj Kastrioti vuri edhe themelet e një Shteti Arbër të organizuar – as para tij, as pas tij princat shqiptarë nuk mundën të gjenin rrugën e bashkimit.
Në përvjetorin e vdekjes së Gjergj Kastritotit, po kujtojmë fjalët kuptimplote që Papa Shën Gjon Pali II i shqiptoi në aeroportin e Tiranës, më 25 prill 1993, gjatë vizitës së tij historike në Shqipëri, e para vizitë e një Pape në trevat shqiptare: “Është detyrë të kujtojmë në këtë rrethanë heroin kombëtar e të krishterin e flaktë, Gjergj Kastriotin Skënderbeun, “mbrojtësin e Jezu Krishtit”....,“Sa herë në të kaluarën ju është dashur të mbroni me forcë identitetin tuaj. Me një angazhim të tillë, u shqua figura e lartë e të krishterit Gjergj Kastrioti Skënderbeut, i respektuar nga Papët e Romës dhe përjetësisht i gjallë në kujtimin e popullit shqiptar” (Gjon Pali II 25 prill 1993 Tiranë).
Pra, në qiellin shqiptar emri i Gjergj Kastriotit ka qenë dhe është një yll polar për gjithë brezat pasardhës, burim frymëzimi për rilindasit, shembull i ndritur për t’u pasur në betejat për ndryshime, për mbrojtjen e lirisë së popullit, për bashkimin dhe respektimin e dinjitetit të çdo qytetari, për kultivimin e vlerave, që i hapin rrugën përparimit të mirëfilltë. Në figurën e pavdekshme të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, populli shqiptar kurdoherë ka shembullin dhe simbolin e bashkimit, të vëllazërimit, të lirisë, atdhedashurisë, harmonisë e demokracisë.